Martiri i Ri, Shën Tadeu, Kryepiskop i Tverit
Hieromartiri i shenjtë Tadeu (sipas botës Joan Uspensku) lindi në vitin 1872 në fshatin Naruksonoti të zonës Nijni Novgorod. Babai i tij Vasili ishte protopresviter dhe kishte edhe dhjetë vëllezër të tjerë.
Studioi Theologji në Akademinë e Moskës dhe në vitin 1896 mbrojti edhe doktoraturën në Theologji.
U qeth murg në vitin 1897 me emrin Tade, ndërsa në vitin 1900 u caktua si profesor i dogmatikës dhe theologjisë etike në shkollën hieratike të Ufas. Më 21 Dhjetor 1908 u dorëzua episkop i Vladimir Volyn.
Në Nëntor të vitit 1921 arrestohet prej bolshevikëve në Zhytomyr me akuzën e pjesëmarrjes në kryengritjen e Volyn. Në Mars të vitit 1922 e lanë të lirë. E dërguan tek patriarku i Moskës Shën Tihoni që të caktohej në ndonjë zonë të Siberisë.
Pas diskutimit me patriarkun u vendos që të dërgohej në Astrahan ku arriti në vitin 1923. Patriarku Tihon i tha një banori të Astrahanit: “Episkopi juaj është një njeri i shenjtë dhe një mendje e rrallë. E ushtron shumë veten e tij, por do të duhet që të ketë kujdes për shëndetin. Duhet që t’i lutemi Perëndisë që ta ndihmojë”. Në Nëntor të vitit 1928 u transferua në Tver (Kalinin) si Kryepiskop i Kalininit dhe Kashinit, ku predikimet e tij zemëruan administratën komuniste.
Në verën e vitit 1937 në Tver, por edhe në vende të tjera, filluan disa arrestime në burg. U arrestuan pothuajse të gjithë priftërinjtë e episkopatës. Në Tetor të të njëjtit vit, disa prej priftërinjve pas torturave ranë dakort që të nënshkruanin disa informacione të rreme kundër Kryepiskop Tadeut.
E arrestuan dhe e futën në burg. E torturuan. E vendosën që të flejë poshtë krevatëve. Një mbrëmje një nga protagonistët e kësaj sjelljeje çnjerëzore pa në gjumë të Tërëshenjtën. Ajo i tha që të mos e prekte më atë njeri të shenjtë sepse do të dënohej. Në mëngjes duke parë poshtë krevatit ku flinte episkopi pa një dritë verbuese. Që prej atëherë Shën Tadeun nuk e bezdisi më askush dhe të gjithë filluan ta nderonin.
Pak ditë më pas e ekzekutuan dhe trupin e hodhën në një gropë. Në pranverën e vitit 1938 disa besimtarë hapën gropën, e vendosën trupin e tij në një arkivol dhe e varrosën në një varr duke lënë një mbishkrim. Varrin e shkatërruan komunistët. Kështi trupi i tij qëndroi i harruar deri në vitin 1990 kur u gjet edhe varri i tij. Më 26 tetor 1993 u zbuluan edhe Lipsanet e tij të nderuara, që tani gjenden në Kishën Katedrale të Ngjitjes së Zotit në Qiell në qytetin Tver. Njohja e shenjtërisë së tij u bë në vitin 1997.