Shën Joan Rrobaqepësi, Martir i ri nga Thaso .
Shenjtori i ditës :
Shenjti ishte me origjinë nga fshati Maries i Thasos. Në moshën 14 vjeçare disa patriotë të tij e sollën në Kostandinopojë, ku e drejtuan tek një i krishter në Gallata që të mësonte artin e rrobaqepjes.
Një ditë mjeshtri e dërgoi tek një tregtar hebre që të blinte fije. Me sa duket ai nuk ra dakort me tregtarin për çmimin. Në atë moment hoxha thërriste lutjet nga minareja për lutjen e mesditës. Hebreu gjeti mundësinë dhe filloi që ti thërriste si hoxhës ashtu edhe turqve të tjerë:
-Nuk e dëgjoni këtë fëmijë që ofendon besimin tuaj dhe me lutjet tuaja?
Sapo e dëgjuan këtë gjë turqit i besuan hebreut, e kapën Joanin e vogël, e rrahën dhe e sollën para vezirit, ku dëshmuan se ai kishte ofenduar besimin e tyre. Shenjti u betua se hebreu kishte shpifur për të. Veziri si pa se kishte të bënte me një fëmijë, iu dhimbs dhe i tha:
-Eja të bëhesh myslyman, të shijosh jetën tënde dhe të jesh pranë meje, të të nderoj dhe të të pasuroj.
U mundua kështu me premtime dhe joshje që ta largonte nga Krishti. Por fëmija i bekuar iu përgjigj, nuk bëhet fjalë që të mohoj kurrë Jisu Krishtin tim të ëmbël, madje edhe nëse më bëni mijëra tortura, madje edhe nëse më falni të gjithë mbretërinë tuaj.
Atëherë Veziri urdhëroi që t’i prisnin kokën. E çuan tek pazari, aty ku ishin punishtet e leshit dhe e dorëzuan tek xhelati. Ai e gjunjëzoi dhe duke dashur që ta trembte, e goditi lehtësisht me shpatë në qafë duke e prerë pak edhe nga pak. Duke parë përfundimisht që Shenjti e pranoi vdekjen me shumë gëzim, e goditi me forcë dhe i preu kokën.
Kështu Joani 14 vjeçar nga Thaso, rrobaqepësi, më 20 Dhjetor 1652, mori kurorën e martirit.
Gjatë natës të krishterë besëmirë, morën Lipsanin e Shenjtë dhe e varrosën në lagjen Bejogllu.