Hierodëshmor Ignat Hyjmbajtësi
SHENJTORI I DITËS E hënë, 20 dhjetor 2021 JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR - 25 DHJETOR)
Oshënar Filogoni i Antiokisë. Joani në Kronshtad. - Hierodëshmor Ignat Hyjmbajtësi - Dishepull i apostujve, atë i episkopëve, luftëtar i guximshëm që u lëshua i pari nën kohortën e martirëve fitimtarë, shën Ignati mori një kurorë të trefishtë dhe tani ndriçon me një shkëlqim të madh në qiellin e miqve të Perëndisë. Sipas emrit të tij që është zjarr (ignis në latinisht do të thotë zjarr), dashuria e Perëndisë ishte tek ai në një shkallë aq të madhe, saqë ai u quajt Theofor, Hyjmbajtës, një fjalë që ai nuk hezitonte ta përdorte për veten, pa u mburrur aspak, sepse të gjithë të krishterët, pas pagëzimit të tyre, janë bërë Kristoforë, Krishtmbajtës dhe janë veshur me Shpirtin e Shenjtë (të krishterët janë hagioforë, pneumatoforë, d.m.th. shpirtmbajtës, na thonë Etërit e shenjtë të Kishës). Në rininë e tij, Ignati njohu apostujt dhe u fut në misteret më të thella të Besimit nga shën Joan Theologu, në shoqërinë e shën Polikarpit. Ai pasoi Evodin, si episkop i Antiokisë, kryeqyteti i Sirisë dhe qyteti më i rëndësishëm i mbarë Lindjes, froni episkopal i së cilës u themelua nga apostull Petroja. Gjatë persekutimit të Domicianit (81-96), shën Ignati inkurajoi konfesorë të shumtë që të përbuznin torturat dhe sprovat që zgjatin për pak kohë për të fituar jetën e përjetshme.
Ai vizitonte të krishterët nëpër burgje, i ngushëllonte dhe u transmetonte zellin që ai provonte vetë, për t’u bashkuar përfundimisht me Krishtin me anë të imitimit të vdekjes së Tij. Por atëherë nuk e arrestuan dhe, kur u ndërprenë përndjekjet, episkopi i patrembur u hidhërua që nuk u thirr nga Perëndia për t’u bërë një dishepull i vërtetë sipas masës së përsosmërisë. Gjatë viteve të paqes që pasoi, apostujt tashmë ishin larguar nga kjo jetë, prandaj episkopi i Antiokisë u përpoq t’i jepte Kishës bazat e organizimit të saj dhe tregoi se si Hiri, i zbritur mbi apostujt në ditën e Pentikostisë, banon dhe vazhdon të veprojë përgjatë shërbesës episkopale. Nga Antiokia e Madhe, zëri i tij plot autoritet u dëgjua në të gjitha Kishat që atëherë ishin komunitete të vogla lokale duke i nxitur ato të qëndronin në unitetin dhe dashurinë rreth episkopit, që është ikona tokësore e të vetmit Episkop të vërtetë dhe Priftit të Madh, Jisu Krishtit.
Të bashkuar në mënyrë të pandarë me Shpëtimtarin e kryqëzuar dhe të ngjallur, besimtarët duhet të përbashkohen rreth episkopit të tyre e rreth rreshtit të priftërinjve e dhjakëve, sa më shpesh që munden në mënyrë të veçantë ditën e diel, ditën e Zotit për të celebruar së bashku Eukaristinë Hyjnore, “duke thyer të njëjtën bukë, që është ilaç i përjetësisë dhe antidot për të mos vdekur, por për të jetuar përherë në Krishtin” (Letra drejtuar Efesianëve 20). Atje ku është episkopi, thoshte ai, atje është Jisu Krishti, atje është Kisha katholike (universale), siguria e jetës së përjetshme, siguria e kungimit me Perëndinë. Prandaj nuk ka veçse një asamble të vetme eukaristike legjitime: ajo që përmbushet prej Kishës, në unitetin e besimit përreth episkopit ose të përfaqësuesit të tij (Letrën drejtuar Smirneasve 8:2). Kur kjo mbledhje përfundon, të krishterët duhet të shfaqin në jetën e tyre, në sjellje, së bashku dhe me botën që i rrethon, në ndjenjat dhe në mendimet e tyre, të njëjtën harmoni dhe akordim harmonik njësoj si kordat e akorduara mirë të një lire, që t’i këndojnë “me një zë të vetëm, nëpërmjet Jisu Krishtit, një himn lavdërimi Atit” (Efes. 4). “Jini të bashkuar me episkopin i porosit ai efesianët, si Kisha është me Jisu Krishtin e Jisu Krishti me Atin, me qëllim që të gjitha gjërat të jenë në në një mendje me përjetësinë”. Përtej urrejtjes dhe zënkave, ai i nxit të shmangin ndarjet e të gjitha llojeve, “si fillesat e të gjitha të këqijave” (Smirneasve 7).
Kështu, të forcuar në një mendje të vetme dhe në dashurinë e ndërsjellë, e Vërteta do të mbetet tek ata dhe Kisha, si një qytet qiellor, do të qëndrojë e pastër dhe e paarritshme nga ndotjet e herezive. Ashtu si apostull Pavli, shën Ignati bëri të ditur në këtë mënyrë parimet e pandryshuara, të palëkundura, të cilat lidhen me vetë natyrën e Kishës, institucionin e episkopit, rolin e mbledhjes eukaristike, raportin midis Kishës lokale dhe asaj Katholike, të gjitha gjërat që e bëjnë Kishën e Shenjtë të thotë: “Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar” (Ps. 44:15).
Perandori Trajan u ngjit në fron në vitin 98 dhe si fillim i la të krishterët të jetonin në paqe, meqë ishte i shqetësuar nga lufta që i duhej të bënte kundër barbarëve. Por, në vazhdim të fitoreve të tij kundër skithëve dhe dakëve, ai vendosi të nënshtronte të gjitha subjektet e perandorisë së tij ndaj kultit të idhujve dhe të perandorit, nën dënimin e vdekjes.
Në vitin 113, ai ndërmori një fushatë në drejtim të Armenisë dhe Parthisë dhe, gjatë rrugës, ndaloi për pak kohë në Antiokinë e shkëlqyeshme. Aty shpalli një persekuti