Shën Ahmeti, Martir i Ri.
Shën Ahmeti ishte me origjinë nga Kostandinopoja dhe ushtronte profesionin e sekretarit, të kryellogaritarit “deftertarit”. Ai fillimisht ishte besimtar i fesë myslymane dhe me origjinë ishte turk. Sipas Sinaksarit të Madh të Kishës Orthodhokse, Ahmeti në shtëpinë e tij kishte dy skllave të krishtera orthodhokse, me origjinë nga Rusia. Më të renë e kishte si “bashkëshorte” edhe pse ishte i pamartuar ndërsa tjetrën që ishte më e madh e kishte si shërbyese. Këtë të fundit e lejonte që të shkonte në kishën e Orthodhoksëve gjatë të kremteve. Ajo, kur kthehej në shtëpi merrte Naforë edhe për skllaven tjetër dhe shumë herë merrte edhe ujë të bekuar. Më e reja pa u trembur prej Ahmetit hante Naforën dhe pinte ujin e bekuar.
Kur Ahmeti diskutoi me “bashkëshorten” e tij, ndjente se nga goja e saj dilte një aromë e çuditshme. Kjo aromë e kishte problematizuar, për këtë arsye kërkoi me këmbngulje të mësonte se nga ku vinte. Ajo, duke mos ditur se çfarë po ndodhte, i tha se kurrë nuk kishte ngrënë diçka që mbante ndonjë aromë të veçantë. Por Ahmeti, nuk besonte në asnjë mënyrë, për këtë arsye këmbëngulte për të zbuluar se nga vinte kjo aromë e çuditshme.
Një ditë kur skllavja mori vesh se aroma vinte prej Naforës që hante në Kishë, i shpjegoi qartë duke i thënë: “ajo që unë ha dhe aroma që ti ndjen, kur flasim, nuk është asgjë tjetër, veçse Nafora që marr në Kishën e të Krishterëve, kur përfundon Liturgjia Hyjnore. Nafora është bukë e shenjtëruar prej Krishtit, që Patriarku e ndan për besimtarët, kur përfundon Misteri i Eukaristisë Hyjnore. Shumë herë pas Naforës pi edhe ujë të bekuar”. Ahmeti nuk i besoi fjalëve të saj dhe e pyeti se si mund të ndodhë një mrekulli e tillë dhe ajo u përgjigj: “Feja jonë është e gjallë. Për ne të Krishterët, Perëndia ynë, është Krishti. Është i Biri i Perëndisë, që zbrit prej qiellit dhe u bë njeri që të na shpëtojë prej mëkatit. Kur jetoi në tokë bëri mrekulli të panumërta. Më e rëndësishmja, të cilën edhe duhet, nëse dëshiron që ta mbash në mendje, është se, prej dashurisë për ne, u kryqëzua padrejtësisht prej hebrenjve dhe ditën e tretë u ngjall. Ngjallja e Tij është një ngjarje e madhe në historinë e njerëzimit. Tek ne të Krishterët Orthodhoksë, me fuqinë e Krishtit, mrekullia vazhdon edhe sot. Për Krishtin tonë të gjitha janë të mundura. Gjithashtu edhe uji që pimë shumë herë në kishë –do të të duket e çuditëshme- është i shenjtëruar. Dmth., nuk ndryshohet, nuk bie erë, sado kohë të kalojnë. Ky ujë, që ne e quajmë Ajiasmo, fiton këtë veçanti, kur Patriarku ose priftërinjtë lexojnë disa urata. Sigurisht, e mbajmë në shishe për bekim, në ikonostaset e shtëpive tona dhe pijmë prej tij, pasi parapërgatitemi në mënyrën e duhur, për pastrimin e shpirtit dhe të trupit. Këtë mrekulli, nëse do, mund ta shikosh dhe ta studiosh. Është një mrekulli e gjallë e besimit tonë, kryesisht për ne besimtarët e thjeshtë”. Ahmeti sapo dëgjoi të gjitha këto mbeti i mahnitur. “Ndodhin të tilla gjëra në fenë tuaj? Sinqerisht unë nuk mund ta kuptoj”, tha dhe u largua.
Kaluan ditë dhe netë të tëra, pa u ndalur së menduari, të gjitha sa dëgjoi prej “bashkëshortes” së tij të krishterë dhe përfundimisht vendosi që t’i testojë vetë të gjitha këto mrekulli. Kështu u vesh me rroba të krishterësh dhe shkoi në Kishën e Patriarkanës që të ndiqte se si bëhej Liturgjia Hyjnore e të Krishterëve.
Kur hyri në Kishë dhe ndoqi Liturgjinë Hyjnore, me admirim të veçantë dhe pyetje të panumërta, pa në një moment priftin që po shkonte drejt Portës së Bukur, i cili po ndriçonte, gjithashtu pa edhe Patriarkun, i cili duke bekuar besimtarët, transmentonte tek ata rreze drite që dukeshin mbi kokat e tyre. Por ajo që e shtangu me të vërtetë ishte se rrezet e dritës ndriçonin vetëm kokat e të krishterëve dhe jo kokën e tij. Menjëherë i erdhën në mendje ato që kishte dëgjuar prej “bashkëshortes” së tij rreth besimit të saj. “Me të vërtetë, mendonte ai, ka patur të drejtë. Feja e të krishterëve është e gjallë. Çfarë gëzimi ishte ky që ndjeva tani!”. Duke dalë nga Kisha, kaq shumë ishte shokuar me të gjitha mrekullitë që kishte parë, sa që mendonte se nuk ishte më Ahmeti i vjetër.
Pas këtyre mrekullive, Ahmeti i mahnitur –siç ishte- nuk donte më prova për të besuar në Krishtin dhe për të hequr dorë nga feja myslimane. Kështu, pa asnjë hezitim, plot gëzim, shkoi fshehurazi te prifti i zonës së tij dhe kërkoi të pagëzohej. Prifti, pasi pa pendimin e tij, besimin e tij të palëkundur dhe vendimin për t'u bërë i krishterë, e katekizoi dhe më pas e pagëzoi në emër të Trinisë së Shenjtë. Pas pagëzimit jetoi një jetë të vyrtytëshme dhe me gëzim të veçantë dhe me ndërgjegje kungonte Misteret e Shenjta dhe merrte Naforë dhe Ujë të bekuar. Fatkeqësisht ne nuk dimë se çfarë emri i’u dha pasi u pagëzua. Sidoqoftë pas rilindjes së tij, i sapondriçuari, ish-myslymani, lavdëronte Zotin sepse e tërhoqi me hirin e tij dhe e drejtoi në besimin e drejtë. Mendja e tij, kur lutej, jetonte, qartësisht dhe në mënyrë të gjallë mrekullitë që u denjësua të shikonte, ditën e bekuar që kishërohej në Kishën e Shenjtë të Patriarkanës. Pas pagëzimit jetoi si besimtar i krishterë, duke u kunguar me Misteret e Shenjta, megjithatë deri në ditën e martirizimit të tij jetoi si i krishterë i fshehtë (kriptokristian). Ndoshta kjo është edhe arsyeja që nuk ka arritur deri më sot emri i tij i krishterë. Pak e dinin këtë emër. Prifti, skllavja e tij e krishterë dhe disa klerikë dhe besimtarë të krishterë.
Një ditë, disa myslymanë të pasur të Kostandinopojës, ishin mbledhur, dhe në këtë mbledhje gjendej edhe Ahmeti, i cili përderisa ishte aty, do të thoshte se nuk ishte një turk i thjeshtë, por ishte i pasur. Ahmetin e pyetën, se “sipas tij, cila ishte gjëja më e madhe në botë” dhe atëherë Ahmeti, me një zë të lartë tha: “Më i madh nga të gjitha është besimi i të Krishterëve”.
Pohimi i tij, se është i krishterë, goditi ish-bashkëbesimtarët e tij. Pa asnjë frikë, filloi që të nxirrte në pah mashtrimet dhe gabimet e myslymanëve. Atëherë, pas urdhërit të një arkondi lokal, pasi u arrestua, u torturua dhe në fund i prenë kokën më 3 Maj të vitit 1682, në vendin e quajtur Keaphane-Bahçe.