Shën Kristo nga Preveza : 5 gusht
Pavarësisht se ishte marinar në profesion, Shën Kristo nuk u tjetërsua aspak nga sjellja e tij e krishterë. Kur njëherë anija në të cilën ai punonte arriti në Kretë, në limanin e Ko-së, Kristo menjëherë vrapoi për në Kishë, u lut, gjeti një atë shpirtëror dhe u rrëfye.
Pas disa ditësh, kur po shkonte për tek anija e tij, u takua me disa jeniçerë, të cilët filluan që të ofendojnë besimin dhe pagëzimin e shenjtë. Kristo nuk u tremb dhe ju përgjigj turqve, se Muhameti është antikrishti i mallkuar. Jeniçerët të mbushur me zemërim, u hodhën mbi të dhe me goditje të rënda i thanë që të mohojë besimin e tij që të shpëtonte. Kristo u përgjigj duke thënë Simbolin e Besimit. Atëherë ata e nxorrën jashtë qytetit dhe e dogjën të gjallë.
Për tre ditë dhe netë një dritë qiellore qëndronte mbi trupin e tij, i cili mbeti në vendin e ekzekutimit për 30 ditë i pavarrosur, por i paprekur prej shkabave dhe qenve, ndërsa më vonë disa besëmirë të krishterë duke kuptuar shenjtërinë e të riut marinar, që ishte martirizuar, morën fshehtazi copëza të lipsanit të Shenjtit dhe nuk ishin të pakta mrekullitë që u raportuan ato ditë prej atyre që e thirrën atë në lutje.
Kujtimi i parë dhe kremtimi panigjirik i Shenjtit u krye 3 shekuj më vonë pas martirizimit të tij, në vitin 1972 një vit pas zbulimit të tij nëpër kodikët e Manastirit të Lavrës së Madhe të Malit të Shenjtë, ndërsa banorët e Prevezës e quajnë mburrje të tyre dhe ndërmjetues të përulur drejt Perëndisë së Tërëmirë.