Shën Stamati nga Volos : 16 gusht
August 16, 2022 at 12:00 am,
No comments
Neomartiri i shenjtë Stamat, ishte me origjinë nga fshati Agjios Gjeorgjis i Volos, në zonën e Dhimitriadhos.
Njëherë rastisi që të vinte një aga në zonën e tij për të mbledhur taksën e haraçit. Ky aga ishte shumë shtypës në mbledhjen e taksës, arbitrar dhe i padrejtë ndaj të krishterëve. Të dëshpëruar banorët vendosën të dërgojnë një delegacion në Kostandinopojë, te Porta e Lartë, për të parë nëse do të gjenin të drejtën e tyre.
Mes anëtarëve të delegacionit ishte edhe Stamati. Kështu ata u paraqitën te veziri dhe filluan t'i ankohen për padrejtësitë e agait.
Por Veziri, ngaqë ishte mik i taksambledhësit, urdhëroi që t'i nxirrnin jashtë duke i shtyrë dhe i rrahur. Disa nga delegacioni, duke përfshirë edhe shenjtorin, protestuan fuqishëm dhe thërritën për padrejtësinë që po bëhej.
Atëherë disa zyrtarë turq të pranishëm, miq të agait, e veçuan shenjtorin dhe e çuan tek veziri duke pseudodëshmuar dhe duke shpifur për të sikur ishte bërë mysliman dhe tani ishte shfaqur si i krishter. Natyrisht shenjtori e mohoi këtë akuzë përpara vezirit. Por ai e dërgoi te kadiu përgjegjës për këto çështje, ku kur u mor në pyetje, shenjtori e mohoi përsëri akuzën duke thënë se ishte shpifje. Atëhere kadiu i thotë: “Edhe nëse nuk je bërë mysliman, bëhu tani”. Martiri i shenjtë me zë të lartë ju përgjigj: “Mos u bëftë që të bëhem kaq shumë i marrë dhe të mohoj Krishtin tim. Më mirë të vdes dhe të jem me Krishtin tim, sesa të jetoj në këtë botë me mijëra kënaqësi dhe lavdi”.
Kadiu duke parë qëndrueshmërinë e martirit e dërgoi tek veziri, i cili u përpoq me shumë mënyra, joshje, premtime, nderime dhe grada që ta bindte martirin. Madje i premtoi se do ta bënte asistentin e tij. Shenjtori për herë të dytë me zë të lartë rrëfeu me vendosmëri besimin e tij në Krishtin duke thënë: “Unë pasur dhe lavdi dhe nderim kam Krishtin tim, i cili më jep banesë në qiej, lavdi dhe jetë të përjetëshme. Nderimet dhe lavditë e tua janë të prishme dhe të kota dhe shumë shpejt humbasin bashkë me ata që i gëzojnë ato”.
Veziri urdhëroi që të arrestohet dhe të torturohet. Pas disa ditësh urdhëroi që ta sillnin përsëri përpara tij, ku përsëri u përpoq ta bindte që të konvertohej. Martiri për herë të fundit ju përgjigj: “Edhe me mijëra vdekje të më dënosh, Krishtin tim nuk e mohoj. Jam i gatshëm që të torturohem për emrin e Tij gjatë gjithë jetën time”.
Atëherë veziri i egërsuar e dorëzoi tek administratori i zonën për ta ekzekutuar. I prenë kokën më 16 gusht 1680, ditën e hënë, para pallatit mbretëror, në Shën Sofi.