Shën Kostandini nga Kapua : 18 gusht
August 18, 2022 at 6:00 am,
No comments
Në kohën e sundimit osman, siç njihet tashmë edhe nga histori janë martirizuar mijëra të krishterë. Njëri prej tyre është edhe neomartiri i shenjtë i Kapuas thesaliane Kostandini, i cili para se të pagëzohej dhe të bashkohej në gjirin e Kishës ishte bir mysliman i një zyrtari turk. Në moshën 20 vjeçare mësoi për dogmat e krishtera nga një murg i shquar i manastirit Shën Nikolla i Kapuas. Ky murg kur gjykoi se tek ky djalë mysliman ishte ndërtuar besimi tek Krishti, e pagëzoi në manastir dhe nga Saim, që ishte emri i tij, u quajt Kostandin.
Reagimi i zyrtarit turk, babai i neomartirit Kostandin, ishte i shpejtë dhe dinamik. Donte që të dënonte me vdekje të tre murgjit e manastirit të Kapuas por nuk ja arriti, sepse arritën të arratiseshin dhe të strehoheshin në Meteora, ku kërkuan mbrojtje nga murgjit atje. Zemërimi i babait arriti kulmin dhe i vuri zjarrin manastirit. I indinjuar nga qëndrimi dhe sjellja e vendosur e të birit, ai urdhëroi ushtarët e tij që ta mbyllnin në burg dhe të mos e nxirrnin jashtë nëse ai nuk kthehej në besimin e të atit.
Ushtarët vepruan sipas urdhrave të babait. Ata e mbyllën Kostandinin në një qeli të errët dhe çdo mëngjes dhe mbrëmje e pyesnin nëse ishte penduar për apostazinë e tij. Por, Kostandini ju përgjigjem me qëndrueshmëri dhe ëmbëlsi: “Krishtin tim nuk do ta mohoj kurrë, çfardolloj gjëje që të më bëni, nuk kam frikë nga asgjë, ai është krah meje dhe më forcon”. Kufijtë e durimit të babait ishin shteruar dhe i tërbuar urdhëroi ushtarët që ta torturonin më ashpër dhe nëse nuk bindej sërish, ta çonin në trekëmbësh. Torturat e tjera dhe të reja më të ashpra nuk ishin në gjendje të përkulnin mendjen dhe besimin e Kostandinit. Atëherë ushtarët i njoftuan vendimin e të atit për ta varur, si kërcënim i fundit, por përsëri morën përgjigje: “Ju them përsëri, asgjë nuk mund të më ndajë nga Krishti im. E dua kaq shumë, sa nuk më intereson nëse për dashurinë e tij jap edhe jetën time”.
Ushtarët, sipas urdhërit të babait, e çuan jashtë qytetit Kapua, në vendin ku është ndërtuar fshati i sotëm Kapa. Këtu hodhën një litar në një dege të trashë të “rrapit të madh” që ekzistonte në këtë vend, dhe aty varën Kostandinin. Por mrekullia ndodhi, litari u këput tre herë dhe xhelatët më pas u detyruan, me urdhër të babait, t’i prisnin kokën. Shpirti i shenjtë i të riut Kostandin fluturoi pranë Krishtit, dashurisë së tij të përjetëshme. Lipsanin e tij të nderuar, të krishterët e varrosën pranë vendit të martirizimit të tij, në vendin e quajtur “Tria Dhendra”. Kostandini u martirizua më 18 gusht 1610.