Oshënar Sava, Kryepiskopi i parë i Serbisë dhe ndërtuesi i Manastirit të Shenjtë Hiliandarit
Oshënar Sava jetoi nga fundi i shekullit të 12-të dhe nga fillimi i shekullit të 13-të. Ishte djali i dytë i mbretit serb Stefanit të parë Nemanja dhe princeshës Ana. Emri i tij laik ishte Resko. Që në vogëli kishte një simpati të madhe për vyrtytet e krishtera dhe në moshën 17−vjeçare shkoi në Malin e Shenjtë, ku me pëlqimin e të atit të tij mbret u bë murg në Manastirin e Vatopedhit dhe u quajt Sava.
Më vonë, pas vdekjes së princeshës Ana, në Malin e Shenjtë erdhi edhe babai i tij. Shembullin e mbretit e ndoqën edhe të tjerë serbë. Kështu rreth vitit 1195, u ndërtua Manastiri serb i Hiliandarit, me iniciativën e Oshënar Savës. Në kohën e Perandorit Theodhor Laskari, Oshënar Sava u dërgua prej Komunitetit të Shenjtë të Malit të Shenjtë në Nikea.
Dhuntitë personale të Oshënarit i bënë një përshtypje të madhe Perandorit dhe Patriarkut në Nikea, të cilët e detyruan që të merrte gradën e Kryepiskopit të Serbisë. Serbët e pranuan me gëzim të madh. Me të vërtetë Oshënar Sava e kreu detyrën e tij me shumë zell. Ishte përdëllyes, jo argjenddashës dhe ndihmonte të varfërit. Më pas shkoi përsëri në Malin e Shenjtë dhe prej andej shkoi për t’u falur në Vendet e Shenjta dhe u rikthye në Serbi që të forconte besimin e patriotëve të tij. Shën Sava, pasi punoi sipas vullnetit të Perëndisë, fjeti me paqe në Tirnovo në vitin 1236. Lipsani i tij i shenjtë u gjend i paprishur, por u dogj në vitin 1594 prej Vezirit të Madh osman Sinan Pashës në Beograd.