Shën Marku i Efesit : 19 Janar
January 19, 2022 at 10:19 am,
No comments
Të nderuar miq të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin në datën 19 janar Kisha Orthodhokse kremton: "Kujtimi i atit tonë ndër shenjtorë MARK EVGJENIKU, mitropolit i Efesit dhe rrëfyes i besës orthodhokse".
Ky yll i besimit orthodhoks shkëlqeu gjatë periudhës së errët të epokës shekulli XV kur Perandoria Bizantine ishte në agoni, e rrënuar ekonomikisht dhe nën presionin e gjithanshëm të pushtuesve turq.
Roma e re 1000 vjet në pushtet dhe shkëqim gjendej përballë alternativës së dhimbshme: ose të binte në duart e të pabesëve dhe të zhdukej si perandori e krishterë, ose t'i nënshtrohej sundimit arrogant të heretikëve latinë, të cilët do t'i jepnin mbështetjen financiare dhe ushtarake me të vetmin kusht, bashkimin e Kishave ose më mirë, nënshtrimin e Orthodhoksisë te papati.
Shën Marku lindi rreth vitit 1392, në gji të një familjeje besimtare të Konstandinopojës dhe mori edukim të shkëlqyer pranë mësuesve më të mirë të kryeqytetit (Kostandinopolit), i cili, ndonëse ishte i varfëruar dhe i rrënuar, mbetej qendra kulturore e botës së krishterë.
Shumë herët u bë profesor në shkollën patriarkale, por në moshën 26-vjeçare braktisi karrierën akademike, që të bëhej murg në një manastir të vogël pranë Nikomedisë. Filloi një jetë me asketizim e me lutje intensive, por, nën kërcënimin e turqve, iu desh të kthehej në Konstandinopojë, në manastirin e Shën Gjergjit të Manganëve.
Soditjes dhe shërbimit të vëllezërve iu shtoi edhe studimin e Etërve të Shenjtë, dhe hartoi shumë ligjërata dogmatike në linjën e shën Grigor Pallamait (shih 14 nëntor) dhe disa vepra rreth lutjes.
Me gjithë dëshirën për të mos u shfaqur, shkenca dhe virtyti që kishte tërhoqën vlerësimin e perandorit Joan VIII Paleologu (1425-1448), i cili përgatiti një Sinod të madh bashkimi me Kishën Romake, duke shpresuar se do të fitonte mbështetjen e papës dhe të princave evropianë.
Nga bindja ndaj monarkut ky murg i devotshëm hezikast pranoi të ngjitej në tribunën e Kishës, për t'u bërë mitropolit i Efesit dhe të merrte pjesë në delegacionin bizantin si zëvendësuesi patriarkëve të Jerusalemit, të Antiokisë dhe Aleksandrisë dhe si ekzark i sinodit.
Delegacioni grek, i përbërë nga perandori, nga patriarku Josif II (1416-1439), nga 25 episkopë dhe nga një shpurë prej 700 personash, u nis për në Itali plot zell dhe entuziazëm. E gjithë bota ishte e bindur për realizimin e bashkimit të dëshiruar nga të gjithë të krishterët. Shën Marku, duke mos qenë ai fanatiku mendjembyllur, siç e paraqesin shpesh, e shpresonte këtë gjë, pa paragjykime ndaj latinëve, por duke u mbështetur fort në shkëmbin e Besës.
Për të, ashtu si shumica e grekëve (greqisht folësve), nuk mund të bëhej fjalë për bashkim, veçse të kthehej Kisha e Romës në unitet në dashurinë që kishte thyer nëpërmjet risive të saj që ishin shkaku i skizmës në vitin 1053.
Por me mbërritjen e tyre në Ferrara, papa Evgjeni dhe theologët e tij treguan qëndrime të tjera. Fillimisht me detajet e protokollit dhe më pas në një mënyrë gjithnjë e më të dukshme, i trajtuan delegatët bizantinë si të burgosur të vërtetë, duke i penguar të dilnin nga qyteti dhe duke vonuar së tepërmi shpërndarjen e subvencioneve që u kishin premtuar për qëndrimin, aq sa disa episkopë u detyruan të shisnin disa nga sendet e tyre për t'u ushqyer.
Temat për t'u diskutuar ishin si më poshtë:
a) dogma se nga buron Shpirti i Shenjtë dhe çështja e shtimit të formulës "që buron prej Atit dhe prej Birit" (Filioque) në Simbolin e Besës;
b) ekzistenca e Purgatorit;
c) përdorimi i bukës pa maja (azyma) për Liturgjinë nga latinët, dhe çështja e shenjtërimit të Dhuratave të Nderuara vetëm me fjalët e Zotit: Merrni, hani... Pini prej këtij... (Matth. 76:26-28) (latinët) ose me thirrjen e Shpirtit të Shenjtë;
d) parësia e papës (primati papal).
Meqë latinët përbënin shumicën dhe çdo votë për çështjet dogmatike ishte përshtatur me opinionin e adoptuar që më përpara, perandori dhe patriarku e vonuan hapjen e debatit për çështjet themelore, derisa të bëhej një mënyrë tjetër votimi.
Duke pritur, u vendos të diskutohej për çështjen e dytë, atë të Purgatorit. Si përgjigje të argumenteve theologjike të theologëve latinë, shën Marku mori fjalën në emër të Kishës Orthodhokse:
"Sigurisht, shpirtrat e të fjeturve mund të përfitojnë njëfarë 'progresi', madje edhe të dënuarit një 'lehtësim' relativ të shortit të tyre, falë lutjeve të Kishës dhe mëshirës së pafundme të Perëndisë; por ideja e një ndëshkimi para Gjykimit të Fundit dhe pastrimi nga një zjarr i lëndshëm është krejtësisht e huaj për traditën e Kishës."
Më të mprehtit konstatuan shpejt se dy botë po ballafaqoheshin dhe që i gjithë diskutimi doktrinal do të arrinte domosdoshmërisht në një udhë pa krye. Javët kalonin, por asnjë rezultat nuk arrihej. Pasi u mbyll diskutimi rreth Purgatorit, u kalua në çështjen e nxehtë, të shtesës arbitrare të Filioques në Simbolin latin. Mitropoliti i Efesit e ngriti sërish zërin e ndërgjegjes së Kishës:
"Simboli i Besës duhet të ruhet i pacenuar, si në fillimin e saj. Të gjithë mësuesit e shenjtë të Kishës, ashtu si dhe të gjitha Sinodet dhe tërë Shkrimet na thonë të jemi të kujdesshëm me heterodoksët; dhe me të gjitha këto autoritete, a duhet që të ndjekim ata që na nxisin të bashkohemi pas fasadës së bashkimit të gënjeshtërt, ata që e përdhosën Simbolin e shenjtë dhe hyjnor dhe e futën Birin si shkak të dytë të Shpirtit të Shenjtë?"
Pas 7 muajsh pritjeje pa sukses dhe fjalëve të kota, papa Evgjeni IV e transferoi sinodin në Firence. Me të mbërritur atje, u vendos të diskutohej më në fund çështja dogmatike. Me mendje të fiksuar te Perëndia dhe i pastruar nga lutja, shën Marku mundi të prezantonte me maturi të kthjellët doktrinën e Shkrimit dhe të Etërve të shenjtë rreth burimit të Shpirtit të Shenjtë.
Kur theologët latinë morën fjalën, e mërzitën auditorin me seancat e tyre të pafundme, me argumentet e stërholluara të mbështetura në një paraqitje racionale dhe me shumë citime të Etërve të marra jashtë kontekstit ose të interpretuara gabimisht. Beteja ngjasonte me atë të Davidit kundër Goliathit (1 Sam. 17.32).
Gjatë kësaj kohe, mitropoliti i Nikeas, Visarioni, dhe ai i Kievit, Isidori, u bënë partizanë të tërbuar të bashkimit - qoftë nga ambicia personale (në fakt, ata më pas do të bëheshin që të dy kardinalë të papës), qoftë nga armiqësia e vjetër e rrymës humaniste kundër hezikastisë dhe murgërisë, përfaqësuar nga Marku - dhe u rrekën të bindnin hierakët e tjerë orthodhoksë, se latinët nuk janë ndarë nga e vërteta dhe se doktrina e tyre rreth Shpirtit të Shenjtë nuk është heretike, por thjesht kanë zhvilluar mësimin tradicional në gjuhën e tyre.
Të lodhur nga kotësitë, nga mungesa e ndihmës dhe nga arroganca mbytëse e latinëve, të shqetësuar për fatin e kryeqytetit që kërcënohej dhe duke ndier se kishin rënë në kurth, episkopët e lanë veten pak nga pak të shkonin drejt kurth, episkopët pranimit të një bashkimi për kompromis, për të cilin perandori dhe patriarku nuk pushuan së bëri presion.
Debati dogmatik, duke përfunduar, si shumë debate të tjera, në qorrsokak, , u la për në tokën bizantine. Me gjithë presionet dhe fyerjet e kundërshtarëve, shën Marku ishte i papërkulshëm: "Nuk lejohet të bëhen kompromise në çështjet e besimit", deklaronte ai. E kishte kuptuar se ishte e padobishme t'i kundërshtoje marrëveshjet me fjalë sofizmat e latinëve dhe, meqë mos mes bizantinëve po shtoheshin, vendosi të terhiqej nga lufta dhe të vuante në heshtje. Atëherë latinët morën sigurinë, dhe vetë ata refuzuan kompromisin dhe kërkuan njohjen nga grekët të Filioques dhe adoptimin e disa prej zakoneve të tyre liturgjike. Duke qenë se kundërshtimet e fundit të ndërgjegjes së grekëve u mundën me urdhër të perandorit, të gjithë firmosën më në fund Bashkimin e rremë. Por nuk mund të flitej për bashkim të vërtetë. Edhe gjatë Liturgjisë solemne, që u celebrua para papës dhe të gjithë sinodit, më 6 korrik 1439, dekreti u lexua në të dyja gjuhët, por asnjë grek nuk u kungua dhe delegacionet e vendosura në të dyja anët e Altarit nuk shkëmbyen as puthjen e paqes.
Shën Marku ishte i vetmi që nuk pranoi të nënshkruante. Kur papa Evgjeni e mori vesh këtë, thirri: "Episkopi i Efesit nuk ka firmosur, atëherë nuk kemi bërë asgjë!". E thirri shenjtin dhe donte ta dënonte si heretik, por, falë mbrojtjes se perandorit, ai mundi të kthehej në Bizant me pjesën tjetër të delegacionit.
Me të mbërritur në Konstandinopoje, pas 17 muaj mungese, përkrahësit e bashkimit të rremë u pritën me përbuzje dhe qortim nga kleri dhe populli. Asambleja e besimtarëve, populli i shenjtë, priftëria mbretërore (1 Petr. 2.9), e cila është mbajtëse e plotësisë të së vërtetës dhe mbetet kriteri i fundit i vlefshmërisë së sinodeve, e hodhi poshtë unanimisht pseudosinodin e Firences dhe dezertoi nga kishat e atyre që ishin në kungim me unionistët, por e përshëndetën shën Markun si një Moisi të ri, si rrëfyes të besës dhe shtyllë të Kishës.
Pasi e ndërpreu heshtjen, shenjti nisi fushatën kundër "bashkimit", ose më saktë, për të vendosur unitetin e Kishës Orthodhokse, me predikimin dhe shkrimet e tij, por edhe me lot e lutje. Ai thoshte: "Jam i bindur se sa më shumë largohem prej tyre (unionistëve), aq më shumë afrohem me Perëndinë dhe me të gjithë shenjtorët; dhe, sa më shumë ndahem prej tyre, aq më shumë bashkohem me të vërtetën”
.
Kur do të zgjidhej patriarku i ri, Mitrofani, ai u largua nga Konstandinopoja për t'i shpëtuar bashkëmeshimit të detyruar me të, dhe u kthye në dioqezën e tij në Efes. Por atje u ndesh me unionistët, prandaj u nis përsëri, duke shpresuar të gjente strehë në Malin Athos. U ndalua gjatë udhës dhe me urdhër të perandorit e çuan në ishullin Limnos.
U lirua më 1442 dhe u kthye në manastirin e tij, ku vazhdoi luftën deri në frymën e fundit (23 qershor 1444). Në shtratin e vdekjes rrëfyesi ia besoi pishtarin e Orthodhoksisë ish nxënësit të tij, Gjergj Skolarit, i cili u përzje për pak kohë me gishtjen e bashkimit, por u pendua. Ky u bë mbrojtës i flaktë i besimit ashtu si dhe patriarku i parë i Konstandinopojës pas marrjes së qytetit, Genadi (31 gusht).
Kryqëzata e fuqive evropiane, organizuar nga papa, pati dështuar vajtueshëm gjatë disfatës në Varna (10 nëntor 1444) dhe asgjë nuk e pengonte më ofensivën turke.
Mes dëshpërimit, në dhjetor të vitit 1452, në Konstandinopojë u arrit të shpallej edhe zyrtarisht bashkimi, por pa fituar ndihmën e shpresuar nga Perëndimi. Përfundimisht, gjatë marrjes së Konstandinopojës, më 29 maj 1453, bashkimi i remë i Kishave u dogj në hirin dhe rrënojat e qytetit tokësor, duke e lënë Besën Orthodhokse të gjallë dhe të pathyer për shpëtimin e popullit të krishterë.
(Sinaksari i shenjtorit)