Shën Zaharia, Martir i ri : 20 Janar
Martiri i ri Zaharia ishte me origjinë prej zonës së Artës. Në një moshë të vogël u islamizua dhe shkoi në Patrën e Vjetër ku ushtronte profesionin e lëkurëregjësit. Por më vonë u pendua që kishte ndryshuar besimin. Kështu, pasi u pendua, gjeti një at shpirtëror tek i cili rrëfeu mëkatin e apostazisë dhe i kërkoi bekimin që të ecte drejt martirizimit.
Ati shpirtëror, i frikësuar se mos ndoshta Martiri dobësohet shpirtërisht gjatë torturave, e ndaloi. Atëherë Shenjti i’u përgjigj atit shpirtëror dhe i tha: “Unë kaq shumë jam i etur që të torturohem për Krishtin, saqë dëshiroj që të vuaj edhe shumë më tepër tortura nga ato që më përmende”. Para këtyre fjalëve të fuqisë së besimit dhe të dashurisë për Krishtin, ati shpirtëror e kungoi Shenjtin me Misteret e Shenjta dhe i dha bekimin.
Shenjti shkoi në punishten e tij, shiti gjithçka që kishte dhe paratë i shpërndau si lëmoshë për të varfërit dhe u paraqit para kadiut, para të cilit pohoi besimin e tij për Krishtin. Me gjithë joshjet, ai i qëndroi fuqishëm pohimit të tij. Kështu e mbyllën në burg dhe e torturuan për shumë ditë. Ai duroi torturat e frikshme me burrëri shpirtërore dhe qëndrueshmëri të admirueshme, që të jepte frymën e tij në vitin 1782.
Kisha lokale e Artës e kremton kujtimin e tij dhe ikona e tij ruhet në Manastirin e Shenjtë Kato Panagjias në Artë. Kujtimin e tij e kremton gjithashtu edhe kisha lokale e Patrës, pasi Shenjti punoi aty.