Shën Dhimitër Hiopoliti : 29 Janar
Shën Dhimitri lindi në vitin 1780, në fshatin Paliokastro të Hios prej prindërve të vyrtytshëm, Apostolit dhe Marulës. Në moshë të re shkoi në Kostandinopojë dhe punonte pranë vëllait të tij Zanit, i cili ishte tregtar.
Kur pa lejen e vëllait u fejua me një vajzë të re, Zani e largoi prej dyqanit të tij. I gjendur në një varfëri të madhe u kujtua se Sheh-ul-Isami i detyrohej të vëllait të tij një shumë parash nga blerja e disa cohërave dhe shkoi në shtëpinë e tij që t’i merrte dhe t’i përdorte për vete. Aty njohu një vajzë të re myslymane, e cila e deshi dhe i tha se në mënyrë që të martohej me të duhet të ndryshonte besimin. Dhimitri e pranoi kërkesën dhe qëndroi në shtëpinë e turqve për dy muaj.
Megjithatë, ai erdhi shpejt në vete, u arratis dhe u fsheh përkohësisht me një familje të krishterë në zonën e Stavrodromios. Aty e takoi vëllai i tij Zani. Dhimitri u rrëfye tek ati shpirtëror i vëllait të tij dhe njëkohësisht i dërgoi një letër babait të tij duke rrëfyer ngjarjet e jetës së tij deri në atë kohë, por edhe dëshirën e tij për t’u martirizuar për Krishtin. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta, u paraqit para kadiut, ku pohoi me guxim besimin e tij, edhe pse Hiotët e Kostandinopojës mblodhën para për lirimin e tij, Dhimitri qëndori i patundur në besimin e tij.
Kështu, pas torturave të frikshme, të cilat i duroi i papërkulur, i prenë kokën më 29 janar 1802. Lipsanin e tij të Nderuar e morën të krishterët dhe e varrosën në ishullin Proti.