Shën Gjerasim i ri Karpenisioti : 2 Korrik
Shën
Gjerasimi i ri Karpenisioti ishte me origjinë nga Megalo Horio i Karpenistit
dhe më parë quhej Gjergj. Në moshën 11 vjeçare shkoi në Kostandinopojë dhe
qëndroi pranë një shitësi ushqimoresh.
Një ditë, pronari i tij i vendosi mbi kokë një tabaka bakri, e cila kishte kos nëpër enë balte. Por në një moment ai rrëshqiti, i ra tabakaja me enët e baltës me kos dhe ju rrëzuan të gjitha. Dhe ndërsa po qante në rrugë për fatkeqësinë që i ndodhi, e mori pranë vetes një grua osmane e shquar, e cila e ngushëlloi. Pastaj me trajtime të ndryshme, ajo e mashtroi dhe ia doli që ta kthente në islam.
Pas shumë vitesh Gjergji, kuptoi mëkatin e tij dhe u largua për në atdheun e tij. Më pas shkoi në Malin e Shenjtë, u qeth murg dhe u quajt Gjerasim.
Por duke dëshiruar martirizimin, u rikthye në Kostandinopojë dhe mohoi publikisht islamizmin. Më pas përpara zotërisë së tij të mëparshëm, deklaroi me guxim besimin e tij për Krishtin. Me gjithë joshjet dhe torturat, Gjerasimi mbeti i patundur në besimin e tij. Atëherë, më 3 Korrik 1812 i prenë kokën në vendin e quajtur Baba Humai të Kostandinopojës. Atëherë ishte 25 vjeç.
Lipsani i Shenjtorit, u varros fillimisht në ishullin Proti. Më vonë u transferua në Manastirin e Hirshëm të Prusës dhe prej andej në vitin 1971 në kishën madhështore të fshatit të tij, të cilën e ndërtuan bashkëfshatarët e tij Megalohoritë për nderimin e Shenjtorit.