Shën Qipriani oshënar martiri i ri : 5 Korrik
Guximi i tij mahnitës bëri, që shumë njerëz të mendonin se ai ishte i çmendur, por ai në atë mënyrë arriti që të marrë kurorën e lavdisë së përjetshme.
Hieromartiri Qiprian lindi prej prindërish të krishterë në fshatin Klisto të Agrafëve. U rrit sipas mënyrës së krishterë, u bë murg dhe u denjësua për dhuntinë e priftërisë. Shkoi në Malin e Shenjtë dhe qëndroi në qelinë e Shën Gjergjit pranë manastirit Kutlumusion. Aty shkëlqeu në vyrtyte dhe u bë shembull ndër etërit. Por zemra e Qiprianit, digjej nga dëshira e martirizimit, kështu shkoi në Selanik dhe deklaroi me shumë guxim Krishtin përpara kadiut. Madje, ai nxiti edhe ata që punonin në gjykatë, si edhe vetë kadiun, që të mohonin Muhamedin dhe të ndiqnin Krishtin. E morën për të çmendur dhe e nxorrën jashtë ndërtesës.
Por dëshira e zjarrtë e martirizimit e bëri Qiprianin që të shkonte në Kostandinopojë. Aty në mënyrë spontane hyri në pallat dhe deklaroi me të njëjtin guxim Krishtin përpara Vezirit. Arkondi me joshje të ndryshme u mundua që ta tërhiqte në myslimanizëm, por pasi dështoi e dorëzoi atë tek Myftiu. Por edhe aty Qipriani pohoi dashurinë e tij për Krishtin dhe qortoi myslimanizmin. Me gëzim pranoi vendimin për ta ekzekutuar.
Kështu më 5 Korrik të vitit 1679, ditën e shtunë, i prenë kokën në Fanari. Për jetën dhe martirizimin e Shenjtorit shkroi Joani Kariofili.