Shën Nektari nga Vriula Oshënar Martiri i Ri : 11 Korrik
Shën Nektari lindi nga prindër të varfër por
besëmirë në Vriula ose Vurla të Efesit dhe fillimisht quhej Nikolla. Mbeti
jetim nga i ati dhe kur ishte 17 vjeç hyri me pagë në shërbim të një agai.
Bashkë me gjashtë të krishterë të tjerë, u mashtrua nga turqit dhe u islamizua,
sepse besonin se prindërit e tyre vdiqën nga një epidemi.
Por, kur Nikolla u kthye në Vurla, u njoftua se nëna e tij jetonte dhe vrapoi me gëzim pranë saj. Nëna besëmirë, kur pa djalin e saj me veshje turke, e dëboi, duke thënë se unë nuk kam lindur turk, por Nikollën e krishter. Atëherë Nikolla kuptoi mëkatin e tij dhe pas një udhëtimi në Smirni-Kostandinopojë-Vllahi dhe përsëri në Smirni, u rrëfye tek një murg Agjiorit dhe me bekimin e tij shkoi në Malin e Shenjtë. Aty përfundoi në Skitin e Shën Anës, pranë patriotit të tij, murgut Haxhi Stefan. Aty u qeth murg dhe mori emrin Nektar.
Por dëshira e martirizimit digjej brenda në zemrën e tij. Kështu me bekimet e atit të tij shpirtëror u largua për t’u martirizuar, me shoqërinë e oshënarit Stefan.
Kur arritën në atdheun e tij në Vurla, Nektari u paraqit para kadiut dhe pasi hodhi tej fesin e tij në tokë, tha: “Merrini shenjat e besimit tuaj, unë i krishter Nikollë kam lindur dhe i krishter dua që të vdes”. Me gjithë joshjet dhe torturat, Nektari mbeti i patundur në besimin e tij. Kështu, më 11 Qershor 1820 i prenë kokën.