Oshënar Mihail Malinos, atë shpirtëror i Shën Athanas Athonitit : 12 Korrik
Oshënar Mihail Malinos jetoni në kohën e perandorit Kostandin VII dhe deri në kohën e perandorit Vasil II Bullgarokton. Lindi në Kapadokia nga prindër besëmirë, Evdhokimo dhe Anastasoja. Gjyshi i tij nga i ati, Evstathi, mbante gradën e patricit. Ndërsa gjyshi nga e ëma Adhralesti kishte gradën e Stratilatit të Lindjes.
Manueli (emri i tij përpara se të bëhej murg) u rrit brenda në pallat, por shumë shpejt e kuptoi kotësinë e nderimeve dhe të mirave të botës dhe për këtë arsye shkoi në malin Kimina. Aty gjeti një jerond me vyrtyt të madh, Joanin, të cilin e luti që të qëndronte pranë tij. Jerondi me disa rezerva e pranoi, por pas pak i ati i tij, mësoi vendin ku gjendej dhe me lutje të ndryshme e solli në shtëpi.
Por pas pak muajsh dhe me lejen e prindërve këtë herë, u kthye tek jerondi i tij, i cili e pranoi me gëzim. Pas tre vitesh provë, Manueli u bë murg me emrin Mihail.
Më vonë, kur vdiq jerondi i tij Joani, Mihaili, me trashëgiminë e tij të madhe atërore që trashëgoi, u bë një dhurues i madh i të varfërve dhe të vuajturve. Gjithashtu ndërtoi edhe Lavrën e Madhe të Kiminës, ku u themelua një vëllazëri e madhe, të cilën Mihaili e organizoi dhe e lidhi me dashuri vëllazërore. Nga ky Manastir kaluan shumë shpirtra të zgjedhur, mes të cilëve edhe Shën Athanas Athoniti, themelues i Lavrës së Madhe të Malit të Shenjtë. Manastiri i Kiminës u dallua për kaligrafitë dhe kopjet e librave të Shenjtë.
Në një moshë të shkuar, por i lulëzuar në besim dhe shpirt, Mihaili dorëzoi me paqe shpirtin e tij të shenjtë tek Perëndia.