Oshënar Stefan Savaiti : 13 korrik
Stefani ishte nipi i shën Joan Damaskinit. Lindi në Damask në vitin 725. I ati i tij quhej Theodhor Mnasur dhe ishte vëllai i shën Joan Damaskinit.
Në moshën dhjetë vjeçare, Stefani u fut nga xhaxhai i tij në Lavrën e Shën Savës, ku për 15 vite u edukua shumë mirë në jetën murgjërore. Pas vdekjes së të atit të tij, u tërhoq në shkretëtirë dhe u dha akoma edhe më tepër pas studimit të fjalës së Perëndisë. Aty u mor edhe me poezinë, në të cilën u dallua dhe u tregua një ndër poetët më të mëdhenj të Kishës sonë.
Stefani, çdo gjë që krijoi me talentin e tij që i dha Perëndia, ia përkushtoi lavdisë së Perëndisë dhe jo admirimit të njerëzve. Sepse e frymëzonin fjalët e Shkrimit të Shenjtë, që thonë: “Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falenderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij” (Kol. 3.17). Dmth., çdo gjë që bëni me fjalë apo me vepra, të gjitha t’i bëni që t’i pëlqeni Zotit Jisu dhe për lavdinë e Tij, duke falenderuar me anën e Tij, Perëndinë dhe Atin, që kaq shumë na deshi.
Stefani, pasi zbukuroi Kishën me poezitë e tij, vdiq me paqe në vitin 794 (sipas disa të tjerëve në vtin 807).
Kujtimi i shën Stefanit përsëritet edhe më 28 Tetor. Se për çfarë arsye ekziston kremtim i dyfishtë i Oshënar Stefanit nuk e dimë. Ndoshta sot kremtohet transferimi i lipasaneve të tij dhe më 28 Tetor kryesisht kujtimi i tij.