Shën Anastasi dhe Shën Evksithi, Episkopë të Selanikut : 16 Korrik
Shën Anastasi pasoi në vitin 434 pas Krishtit në
fronin episkopal të Selanikut, peshkopin Rufos (shih 9 Shtator).
Në vitin 435 pas Krishtit Papa Siksti III (432 - 440) i dërgoi një letër peshkopit të Korintit Perigenit, duke i kujtuar atij se ai duhet t'i bindej peshkopit të Selanikut dhe vikarit papal Anastas, i cili kishte pasuar Rufonin. Në të njëjtin vit ai i dërgoi një letër të dytë sinodit që do të mblidhej në Selanik, për të përsëritur të drejtat që paraardhësit e tij i kishin dhënë vikarit të fronit papal, peshkopit të Selanikut. Disa vjet më vonë, në vitin 446 pas Krishtit, Papa Leoni I (440 - 461) i drejtoi një letër Anastasit, me rastin e mosmarrëveshjes së tij me Mitropolitin e Epirit të Vjetër Atik, dhe vuri në fuqi të drejtat e tij.
Megjithatë, nuk dihet pse nuk ishte e mundur që ai të merrte pjesë personalisht në Sinodin e Katërt Ekumenik, të mbledhur në vitin 451 në Kalqedoni. Në pjesën e parë të Sinodit, më 8 Tetor 451 nënshkruan si përfaqësues i tij episkopi i Herakleas Kintilosi. Ndërsa në pjesën e tretë të Sinodit, më 13 Tetor, episkopin e Selanikut e përfaqëson presviteri Andrea, megjithatë vlen për t’u përmendur se tashmë, si episkop i Selanikut nuk kujtohet Anastasi, por Evksithi, i cili pasoi Anastasin, menjëherë pas vdekjes së tij. Supozohet se vdekja e Anastasit kishte ndodhur tashmë rreth fundit të Shtatorit të vitit 451.
Është e mundur që presviteri Andrea, që përfaqësoi Evksithin në punimet e Sinodit të Katërt Ekumenik, të identifikohet me episkopin e mëvonshëm Andrea, që pasoi Evksithin në fronin kryepeshkopal të Selanikut.