Shën Marku - Martir i ri nga Smirni : 14 Maj
Origjina e shenjtit ishte Kreta, kur ishte i vogël, disa turq e morën në Smirni dhe me dhunë e islamizuan. Vetë ai, duke qenë i ndërgjegjshëm se kush ishte dhe çfarë ishte, kërkonte mundësinë për të ikur.
Njëherë mundi të arratisej dhe shkoi në Kostandinopojë. Aty u takua me Melet Sirgon, i cili ishte një klerik i ditur dhe i vyrtytshëm, që pas martirizimit të shenjtit, shkroi edhe jetën e tij. Tek ky prift u rrëfye dhe i tregoi dëshirën e tij që të pohonte Krishtin dhe që të shlyente mëkatin e tij me gjakun e martirizimit. Ky atë i shenjtë shpirtëror, pasi e udhëzoi siç duhet, e la të shkonte duke e mbështetur me lutjen e tij.
U kthye pra në Smirni, dhe Shenjti para të gjithëve pohoi Krishtin si Perëndi të vërtetë, me shumë guxim, pa ju trembur barbarisë së turqve, ndërsa paralelisht u shpreh me ton nënvlerësues për islamin dhe profetin. Kur turqit dëgjuan fjalët e tij dhe kuptuan këmbënguljen e tij në besimin e krishter, sepse esencialisht nuk ishte islamizuar, e kapën dhe duke e rrahur e çuan tek kadiu. Aty e akuzuan me akuzën se “ndërsa ishte turk, tani u bë romak dhe ofendon besimin tonë dhe profetin tonë”.
Kadiu, kur dëgjoi këto gjëra, u pikëllua shumë dhe e pyeti: Je romak apo turk? Neomartiri i shenjtë ju përgjigj: “I krishter isha dhe i krishter jam dhe Krishtit tim i falem dhe e adhuroj dhe e pohoj si Perëndi të vërtetë, ndërsa besimin tuaj e përbuz”. Kadiu, veç të tjerave urdhëroi që ta rrihnin pandërprerë dhe ta mbyllnin në burg. Por edhe në burg ai ju nënshtrua torturave të frikshme. Vetëm torturuesit u lodhën, pa arritur asgjë, në kontrast me martirin, i cili i veshur me hirin e Perëndisë, vetëm i duroi i palëkundur duke u treguar trim.
Kur panë se nuk mundën që ta bindnin që të mohonte besimin e tij, e çuan përsëri tek kadiu, i cili e kërcënoi me kërcënimet më të rënda. Shenjti nuk llogariti asgjë, vetëm tha: “Edhe nëse mijëra tortura dhe mijëra vdekje të më jepni, unë Jisu Krishtin tim të ëmbël nuk e mohoj. Pra, mos humbni kohë, bëni çfarë të doni, për të parë se sa fuqi u jep Krishti im atyre që vuajnë për hir të emrit të Tij”.
Kur kadiu pa qëndrueshmërinë e tij në besimin e krishterë urdhëroi ekzekutimin e tij me prerje koke. E çuan në vendin e ekzekutimit, ku i gjunjëzuar dhe duke ulur kokën pranoi vdekjen me prerje koke më 14 Maj 1643. Ishte 17 vjeç. Të krishterët e Smirnit me shumë vështirësi dhe me shumë para morën lipsanin e Shenjtit dhe e varrosën në kishën e Shën Fotinisë, ku e nderojnë çdo vit. Varri i tij dhe lipsanet e tij jo thjesht bëjnë mrekulli por janë bërë edhe burim shërimesh për besimtarët.