Shën Nikolla, Martiri i ri nga Mecova : 17 Maj
Martiri i ri Nikolla lindi në Mecovë nga prindër besëmirë. Jetoi në një kohë të vështirë dhe të trazuar, pas lëvizjeve të pasuksesshme revolucionare të Mitropolitit të Trikit Dhionis Filozofit, ku përndjekjet e myslimanëve kundër të krishterëve, kishin arritur kulmin e tyre.
I ri në moshë, shenjti shkoi në Trikalla, ku punonte si nënpunës i një turku që kishte dyqan buke. Pas një periudhe kohore, turqit, duke përdorur metoda frikësuese, e detyruan që të islamizohej. Por shpejt, u ndërgjegjësua për mëkatin e apostazisë dhe u rikthye në Mecovë, ku jetoi një jetë të rreptë të krishterë.
Por, varfëria dhe kushtet e vështira të jetesës, që ishin në atë periudhë në Mecovë, e detyrojnë Nikollën që të shkojë përsëri në Trikalla, që të shesë pishtarë. Aty u vu re nga një berber turk, i cili ishte ngjitur me furrtarin, në të cilin punonte më parë shenjtori. Berberi turk e kapi Nikollën dhe e nxorri me dhunë në rrugë, dhe e ofendoi publikisht, sepse kishte tradhtuar islamin, duke u bërë përsëri i krishter. Nikolla, pasi ju tremb pasojave, i dha turkut ngarkesën e pishtarëve dhe lidhi një marrëveshje me të që t’i sillte çdo vit nga një ngarkesë me pishtarë. Pas kësaj marrëveshjeje, turku e la të lirë Nikollën.
Por, duke u rikthyer në Mecovë, Nikolla, bëri një autokritikë të rreptë dhe u pendua për këtë sjellje. Me vetëdije Nikolla u rrëfye tek një atë shpirtëror dhe filloi që të kërkonte martirizimin. Por, ati shpirtëror me përvojë, duke patur parasysh paqëndrueshmërinë e Nikollës, e këshilloi që të linte për atë moment këto qëllime të larta, pasi frikësohej se mos mohonte përsëri besimin. Por, Nikolla qëndron i patundur në vendimin e tij të madh. Ati shpirtëror duke parë vendosmërinë dhe këmbënguljen e Nikollës, e bekoi dhe e lejoi që të shkonte drejt martirizimit.
Për këtë arsye vitin tjetër që shkoi në Trikalla, nuk i solli turkut ngarkesën që i kishte premtuar. Turku i zemëruar e akuzoi tek kadiu dhe Nikolla shkoi para kadiut, ku me guxim pohoi besimin e tij tek Krishti.
Kur kadiu kuptoi se as me joshje, as me kërcënime nuk mund ta bindte, urdhëroi që të torturohej rëndë dhe ta mbyllnin në burg, ku me qëndrueshmëri vuajti martirizimin e urisë dhe etjes. Kur për herë të dytë u çua rrëfeu përsëri besimin e tij. Atëherë turqit e zemëruar marrin vendimin që ta hedhin në zjarr.
Me urdhër të tyre ndezin një zjarr të madh në pazarin qëndror të Trikallës, mbi të cilin hedhin Nikollën. Shenjti me një qetësi të mrekullueshme u përball me martirizimin, duke lavdëruar Krishtin, sepse u denjësua që të vdesë për hir të Tij. Kështu më 17 Maj 1617 Neomartiri Nikolla dha shpirtin e tij të shenjtëruar tek Kryetari i jetës dhe i vdekjes.
Mbrëmjen e asaj dite martirike, një besimtar pasi u dha para të mjaftueshme rojeve turke që ishin vigjilentë në vendin e martirizimit, bleu kokën e Martirit të ri, që kishte disa dëmtime nga zjarri. Por, pasi kishte frikë nga turqit, e fshehu kokën në murin e shtëpisë së tij, pa e ditur askush këtë veprim.
Pas vdekjes së këtij besimtari, shtëpia u ble nga dikush që quhej Melandros. Ai nuk dinte asgjë për thesarin e madh që fshihej në murin e shtëpisë së tij. Në orët e mbrëmjes së 17 Majit 1618 pa që të shkëlqente një dritë në pjesën e murit që ishte koka dhe gjatë gjumit, u informua se në atë pjesë gjendej e fshehur Koka e Martirit të Ri Nikolla. Në mëngjes e hapi atë pjesë të murit dhe gjeti Kokën e Shenjtë. Por pasi gjykoi veten e tij si të padenjë që të mbante një thesar kaq të madh, e dhuroi tek Manastiri i Hirshëm Barlaam i Meteorës, ku kishte një vëlla murg, për kujtimin e tij dhe të familjes së tij.
Aty ruhet Koka e Shenjtit deri më sot me devotshmëri të veçantë në një kuti të argjendë. Ajo, si në kohët e mëparshme, ashtu edhe sot bën mrekulli. Dëshmitarë të fuqisë mrekullibërëse të saj janë të gjithë të krishterët që luten me besim.