Shën Joan Shqiptari (Arnautojani) - Martir i ri : 19 Maj
Martiri i ri ishte Ushtar me origjinë shqiptare Joani, i quajtur
“Arnautojani”, u pagëzua i krishter me emrin Joan. Në vitet 1830-1840 ishulli i
Kretës ndodhej nën kontrollin e Egjiptit, i cili në atë kohë qeverisej nga
shqiptari Mehmet Ali. Pas largimit të sunduesve egjiptianë nga ishulli në vitin
1840, Joani që ishte ushtar në ushtrinë egjiptiane, qëndroi në Kretë. Ai u
vendos në fshatin Agios Joanis të Festit dhe jetonte një jetë besëmirë dhe të
devotshme, duke ushtruar profesionin e rojtarit, në mënyrë që të siguronte
jetesën.
Ato ditë disa rebelë vranë dy turko-egjiptianë. Osmanët, të cilët urrenin Joanin, pasi ai kishte lënë fenë e tyre, gjetën rastin që të merrnin hak. E akuzuan tek qeveritarët e zonës, sikur ai ishte vrasësi i dy turko-egjiptianëve, duke e akuzuar atë edhe se pas ndërrimit të fesë ishte i disponuar për të vrarë myslimanë.
Joani u arrestua dhe u dërgua tek gjykatorja e Heraklios, ku doli i pafajshëm. Por kadiu Reshit Efendiu, i kërkoi që të ndryshonte përsëri besimin e tij që të dukej sikur nuk kishte vrarë për shkak të rivalitetit fetar, ose përndryshe do ta dënonte me vdekje. Joani me guxim pohoi Krishtin. Për tre ditë u torturua me tortura të frikshme. Ndër të tjera i vunë në kokë një enë hekuri, të cilën e kishin djegur në zjarr.
Kur Joani dorëzoi shpirtin e tij tek Perëndia, Pashai urdhëroi që trupi i tij t’i jepej të krishterëve që ta varrosnin. E morën dhe e varrosën në zonën e quajtur “Spitalia” në Heraklio.
Vdekja martirike e Joanit përhapi trishtim dhe indinjatë tek të krishterët e Heraklionit. Ishte e shtunë data 5 Maj 1845. Dhe siç tregon Stefanos Nikolaidhis në shënimet e tij biografike “...u bë një reagim i tmerrshëm i të Krishterëve kundër Qeverisë për Shqipëtarin - Arnautojanin, i cili kishte vdekur nga torturat”. Dhe që të qetësohej populli, u internua kreu i gjykatës Reshit Efendiu dhe u zëvendësua nga Kulukxhi-Meimuri.
Pas disa kohësh, u bë transferimi i eshtrave ( lipsaneve) të tij, të cilat u gjetën të shenjtëruara. Ato i mori konsulli i Rusisë dhe i dërgoi në Kiev, ku edhe ruhen deri më sot.