Oshënar Pahomi. Martiri i ri : 21 Maj
Oshënari martir Pahomi ishte me origjinë nga Azia e Vogël dhe lindi nga prindër Perëndidashës dhe besëmirë. Duke shërbyer si ushtar në ushtrinë Ruse, kapet rob nga turqit dhe shitet tek një regjës lëkurësh, i cili e mori me vete në atdheun e tij në Usaki të Filadelfias. Oshënari mbeti në shërbim të turkut për 27 vite, duke duruar tortura dhe presione të përditshme për të ndryshuar besim. Por ai mbeti i patundur në besimin e krishter dhe për këtë arsye u la i lirë nga zotëria i tij.
Teksa po përgatitej të largohej, ai u sëmur dhe turqit, duke përfituar nga kjo situatë, përhapën fjalën se Pahomi kishte shprehur dëshirën për t'u bërë musliman para se të vdiste. Kështu, kur u shërua, e veshën me rroba turke dhe e lanë të lirë. Pahomi u largua menjëherë dhe përmes Smirnit shkon në Malin e Shenjtë, në manastirin e Shën Pavlit, dhe u vendos nën kujdesin e një hieromonaku të vyrtytshëm, që quhej Josif.
Pas një qëndrimi 12 vjeçar në manastir, shkoi në Kavsokaliva, duke imituar jetën e mrekullueshme të Oshënar Akakio Kavsokalivitit, u bë shembull murgjërie dhe ishte i dashur për të gjithë vëllezërit.
I shtyrë nga zelli hyjnor, shprehu dëshirën për t’u martirizuar për Krishtin. Në të vërtetë, pas një viti eksperimentimi me kanone dhe pedagogji të ndryshme, i shoqëruar nga murgu Jozef, shkoi në Usaki të Filadelfisë dhe në mes të pazarit shpalli besimin e tij në Krishtin. Menjëherë arrestohet dhe çohet para kadiut.
Martiri Pahom me trimëri shpirtërore kundërshtoi akuzuesit e tij, duke ju thënë e kurrë nuk e kishte mohuar Krishtin, por ishte dhe do të mbetej në besimin e krishterë deri në fund të jetës së tij. Pas këtyre fjalëve, kadiu urdhëroi që të mbyllej në burg. Pas tre ditësh, pasi u thirr përsëri për të mohuar Krishtin, ai nuk e pranoi këtë gjë dhe si rrjedhojë u dënua me vdekje, duke ju dorëzuar xhelatit. Kështu Oshënarmartiri Pahom u martirizua me prerje koke në vitin 1730 të enjten e Ngjitjes së Zotit në Qiell.
Lipsanin e shenjtë të tij e morën pas tre ditësh të krishterët besëmirë dhe e varrosën me shprestari. Sot gjendet në manastirin e Shën Joan Theologut të Patmos. Copëz e këtij lipsani të shenjtë u dorëzua tek manastiri i Shën Pavlit të Malit të Shenjtë me bekimin e Patriarkut Ekumenik, më 26 Janar 1953.