Shën Kostandini Martir i ri dhe ata që u martirizuan bashkë me të. : 21 Maj
Martiri i Ri Kostandin lindi në vitin 1654
në fshatin Brinkovani të Rumanisë dhe u bë princ i Vllahisë gjatë viteve
1688-1714. Që në moshën një vjeçare mbeti jetim nga i ati, i cili u vra në Shkurt
të vitit 1655 në një rebelim të popullit kundër hegjemonit të atëhershëm. U
rrit nga nëna dhe gjyshërit e tij Pauna dhe Konstantinos Kantakouzinos, në
shtëpinë e tij atërore në Bukuresht. Ai studioi greqishten dhe latinishten. Pas
vdekjes së dy vëllezërve, ai trashëgoi të gjithë pasurinë e të atit dhe u
martua me Marikën, mbesën e Antonio Vodës nga Popest. Në vitin 1678, kur
xhaxhai i tij Serbanos Kantakouzenos u bë sundimtar, ai e ndihmoi Kostandinin
të arrinte postet më të larta.
Duke përfituar nga paqja që mbizotëronte në vendin e tij, nga fillimi i sundimit të tij, hodhi themelet për ndërtimin e manastirit Hurez, ku ndërtoi shtëpinë e familjes dhe kishën e tij. U përball me shumë vështirësi dhe i bëhej presion nga turqit që të paguante një haraç të madh. Megjithatë punoi shumë për zhvillimin politik dhe ekonomik të Vllahisë. Në vitin 1709 luftoi si aleat me car Pjetrin I të Rusisë (1672-1725) kundër turqve dhe sulltanit Ahmetit III (1673-1736). Sipas një Kronike, më 24 Mars 1714, të Martën e Madhe, në Bukuresht shkoi Mustafa agai, i cili e arrestoi bashkë me 4 fëmijët e tij, nusen e tij të madhe, dhëndurët, nipin e tij Kostandin dhe thesarruajtësin Janaq Vakaresku. Pas një udhëtimi të hidhur 3 javor, arritën në Kostandinopojë, ku u torturuan rëndë. U dënuan me vdekje më 15 Gusht 1714, ditën e Fjetjes së Hyjlindëses. Në fillim koka i’u pre Janaq thesarruajtësit, më pas djalit të tij të madh, duke vijuar me tre djemtë e tjerë, Stefanit, Radus dhe Mattheut. Lipsanet e tyre të shenjta i hodhën në ujërat e Bosforit, ndërsa kokat e tyre të nderuara i vendosën në hu, duke i qarkulluar përreth qytetit, më pas edhe ato i hodhën në det. Me nxitjen e Patriarkut Ekumenik, të krishterët besëmirë shkuan fshehtazi dhe pasi i nxorrën jashtë detit, i varrosën po fshehtazi në ishullin e Halkit, jashtë kishës së manastirit të Hyjlindëses, të cilin e kishte ndërtuar perandori Joan V Paleolog (1341-1391). Një vit më vonë edhe Kostandinit do t’i pritej koka, pasi refuzoi që të përqafonte fenë muslimane.
Lipsanet e shenjta të Martirit Kostandin dhe të gjithë atyre që u martirizuan bashkë me të, u transferuan fshehtazi në Rumani nga gruaja e tij Marika në vitin 1720, në kohën e sundimit të Nikolla Mavrokordhatit dhe u vendosën në kishën e Shën Gjergjit të Ri.