Shën Pavli nga Peloponezi - Oshënar Martir : 22 Maj
Në moshë të vogël shkoi në Patra, ku mësoi artin e sandalebërësit dhe qëndroi në Patra duke ushtruar këtë profesion për 14 vite. Më pas u largua nga Patra dhe shkoi në Kalavrita, ku për ushtrimin e profesionit të tij, mori me qera një dyqan. Por pronarët e dyqanit, kërkuan nga Panajoti më shumë para nga sa kishin rënë dakort dhe duke qenë se shenjti refuzoi kërkesën e tyre, ata e mbyllën në burg. Përfundimisht shenjti ju dha qeranë që kërkonin dhe doli nga burgu. U largua nga Kalavrita dhe shkoi në Tripoli, ku duke u argëtuar me dy miq të tij, ju tha atyre se ishte turk (musliman).
Por ndërgjegja e tij e vrau dhe shkoi në Malin e Shenjtë. Aty shkoi në Lavrën e Shenjtë të Shën Athanasit, pranë një jerondi të mençur nga Peloponezi, Timotheut, tek i cili u rrëfye dhe mori ngushëllim shpirtëror. Më vonë u bë murg me emrin Pavlo. Më pas, bashkë me jerondin e tij shkoi në qinovjon ruse të Malit të Shenjtë, ku qëndroi tre vite. Aty u ndez brenda tij dëshira për martirizim.
Në moshën 25 vjeçare shkoi në Skitin e Shën Anës dhe ju bind atit shpirtëror Hieromonakut Anania, tek i cili rrëfeu dëshirën e tij për martirizim. Aty u provua për 40 ditë dhe mori bekimin e Etërve dhe u largua nga Skiti për t’u martirizuar. Arriti në Manastirin e Shpellës së Madhe, ku u mundua me kreshmë dhe lutje për 40 ditë të tëra. Më pas shkoi në Kalavrita dhe prej andej në Tripoli.
U informua se në Nafplio gjendej një kushëri i tij që kishte mohuar besimin e tij, për këtë arsye shkoi në atë qytet për të korrigjuar kushëririn e tij. E mori këtë renegat si bashkudhëtar, shkoi në Tripoli dhe u paraqit para Myftiut të qytetit, nga i cili mori një urdhër me shkrim për t'u paraqitur para gjykatësit, në ditën e një mbledhjeje të madhe të të krishterëve dhe Kryepriftërinjve të shquar.
Në këtë mbledhje, Pavli, para të gjithëve predikoi Hyjninë e Krishtit dhe qortoi ashpër fenë muslimane. Kadiu, duke parë këtë qëndrim këmbëngulës të martirit, e dënoi që të digjej i gjallë. Por më pas kadiu ndryshoi vendim dhe vendosi që të dënohej me prerje koke. Kështu më 22 Maj 1818 martirit i pritet koka në Tripoli, në moshën 28 vjeçare. Lipsanin e tij të nderuar e hodhën në një vend të papastër. Por të krishterët e morën fshehtazi dhe pasi e pastruan e varrosën në Manastirin e Shenjtë të Shën Nikolla Varson.
Jetën e tij e shkroi Hieromonaku Jakov Vercagjias Zakinthi, Agjiorit nga qinovjo ruse. Kisha e shenjtit gjendet në Tripoli dhe ikona e tij në kishën e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull në Athinë.