Shën Nikita Stiliti mrekullibërësi : 24 Maj
Oshënar martiri i shenjtë Nikita jetoi gjatë
shekullit XII në qytetin Perejaslavl të Rusisë. Punonte si taksambledhës i
princit Dolgorukig dhe mblidhte nga taksapaguesit shuma të mëdha, të cilët
ishin të detyruar që t’i jepnin për ndërtimin e qytetit dhe të një kishe.
Kështu kaluan shumë vite. Por Perëndia zemërgjerë, që dëshiron që të gjithë të
drejtohen në pendim dhe të shpëtohen, nuk e braktisi Nikitën dhe përgatiti
rrugën e kthimit të tij. Kur një ditë Nikita shkoi në Kishë, dëgjoi fjalët e
profetit Isaia: “Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e
veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së
ve” (Isa. 1.16). Ndërgjegjja e tij e fjetur u zgjua dhe e çoi
në pendim. Ai menjëherë vrapoi në manastirin e Perejaslavl-Zalesky, i cili i ishte
kushtuar Shën Nikitas, ra në këmbët e atit shpirtëror dhe rrëfeu mëkatet e tij.
Jerondi, atë shpirtëror, për të konstatuar sinqeritetin e rrëfimtarit, i dha urdhërin e parë: të qëndronte tre ditë para portave të manastirit dhe të rrëfente publikisht mëkatet e tij. Me përulësi të thellë, Nikita iu bind.
Kështu pas pak kohësh u qeth murg dhe filloi jetën e ashpër shpirtërore dhe asketizimin. Hapi një gropë dhe aty vendosi një shkëmb mbi të cilin qëndronte duke mbajtur veshur disa zinxhira të rëndë si një Stilit i ri.
Por një natë të vitit 1196, kur Shenjti lutej dhe zinxhirat e tij shkëlqenin si argjend, hajdutët e vranë dhe vodhën zinxhirët e hekurt që ata mendonin se ishin të vlefshëm. Kur u larguan dhe kuptuan se zinxhirët ishin prej hekuri, i hodhën në lumin Vollga.
Por Perëndia donte të nderonte edhe këto shenja të dukshme të martirizimit dhe asketizimit të Dëshmorit të Shenjtë Nikita. Një natë, murgu plak i devotshëm Simeon, i cili po asketizonte në manastirin e Apostujve Petro dhe Pavlo në Jaroslavl, pa tre rreze drite mbi lumë. Menjëherë etërit e manastirit vrapuan për të parë se çfarë po ndodhte. Me frikë ata panë zinxhirët e Shën Nikitës që notonin. Ata i morën me nderim dhe i çuan te varri i Shenjtit.
Kur mes viteve 1420-1425, hapën varrin e Oshënarit, gjetën lipsanin e tij të shenjtë të paprishur.