Shën Inocenti, Episkop i Khersonit : 25 Maj
Shën Inocenti, sipas botës Joan Alekseviç Borisof, lindi më 15 Dhjetor 1800 në fshatin Elets të zonës Orel të Rusisë dhe ishte me origjinë nga një familje priftërore. Prindërit e tij quheshin Aleks dhe Akilina, të cilët e rritën Joanin e vogël me edukatë dhe kujdes më Zotin. Në vitin 1819 përfundoi me sukses studimet e tij në seminarin Orel dhe më pas hyri në akademinë theologjike të Kievit, të cilin e përfundoi në vitin 1823.
Ditë dhe natë, Joani u përkushtua në studimin e teksteve të shenjta dhe të Etërve dhe merrej veçanërisht me shkrimin e predikimeve të fjalës hyjnore. Dashuria e tij për jetën murgjërore drejtoi hapat e tij në manastir, ku qethet murg dhe merr emrin Inocent. Më vonë ftohet që të japë mësime theologjie në akademinë e Shën Petërburgut dhe në vitin 1826 hirotoniset arkimandrit. Më 21 Nëntor 1836 gjatë ditës të së kremtes së Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull, hirotoniset Episkop i Zigrinsk, në zonën e Kievit. Gjatë viteve 1841-1842 shkon në qytetin Vologda dhe nga viti 1842-1848 vendoset në Episkopatën e Harkovit ku, në vitin 1857 pas fjetjes së Episkopit të Khersonit dhe gjithë Tavridhës, vendoset Episkop i kësaj zone.
Problemet që përballoi nga fiset e tatarëve dhe hebrenjve ishin të shumta. Shenjti u mundua që të shpëtonte nga shkatërrimi kisha dhe manastire si edhe të forconte popullin shpirtërisht. Në Luftën e Krimesë, ai mbështeti me shpirt luftarak dhe besim shumë ushtarë që mbronin qytetin. Madhështia e shpirtit dhe veprimtarisë së tij baritore zbulohet kur ai viziton dhe kujdeset për të plagosurit dhe të sëmurët nga tifoja. Ai ishte një engjëll tokësor dhe ngushëllues për të gjithë. Kështu pasi i shërbeu grigjës së tij në mënyrë të pëlqyer nga Perëndia, Shën Inocenti fjeti në paqe në vitin 1857.