Shën Emelia : 30 Maj
Oshënare Emelia ishte me origjinë nga një familje besëmirë e Qesarisë së Kapadokisë. I ati i saj u martirizua përgjatë përndjekjeve të fundit. Jeta e Shenjtores ishte një rrënjë e ëmbël prej së cilës lulëzuan fryte të ëmbël, fëmijët e saj, shumica e të cilëve janë shenjtor të Kishës sonë, si psh., Shën Vasili i Madh, Grigori i Nisës, Petroja i Sevastisë, murgesha Makrina dhe murgu Navkratio. Nga rrënja e shenjtë dolën lastarë të shenjtëruar, dmth., nga prindër të shenjtë rrodhën bij të shenjtë dhe të bekuar.
Oshënare Emelia, u sprovua në jetën e saj, siç ndodh zakonisht me njerëzit e zgjedhur, me shumë hidhërime. Vdekja e prindërve të saj, para se të martohej, vdekja e bashkëshortit të saj sapo lindi djali i tyre Petro dhe vdekja e parakohshme e birit të saj Navkratio, por edhe fakti që e vetme rriti fëmijët e saj me kujdes më Zotin, ishin disa vështirësi të jetës së saj. Por ajo i përballoi me besim shembullor, trimëri dhe durim. I mësoi fëmijët e saj kryesisht me shembullin e saj. Ju dha bashkë me qumshtin e saj, edhe qumshtin e besimit, duke u mësuar edhe misterin e Kishës.
E mbaroi jetën e saj si murgeshë në manastirin ku igumene ishte bija e saj Makrina.