Shën Filumeni, Martiri i Ri Oshënar.
Shenjtori i ditës :
Që në vogëli Shën Filumeni e deshi Krishtin. Në moshën 10 vjeçare bashkë me vëllain e tij prisnin që të flinte vëllai i tyre i madh, në mënyrë që ata të ngriheshin dhe të luteshin fshehtazi për orë të tëra.
Shenjti ishte me origjinë nga fshati Orunta i zonës së Morfut. Mësuese të mirë të shpresëtarisë kishte gjyshen e tij Loksandrën, e cila kërkonte që t’i lexonin jetët e shenjtorëve. Shenjti i Perëndisë Filumeni, duke lexuar jetën e Shën Joan Kavsokalivitit, braktisi dëshirat e kësaj bote si një imitues i tij.
Fëmijët binjakë të Magdalenës dhe Gjeorgjio Uraniotit, Filumeni dhe Elpidhio të ndezur prej dashurisë hyjnore, shkuan tek Manastiri i Shenjtë i Stavrovunit.
Aty qëndruan për pesë vite dhe më pas u larguan nga toka martirike e Qipros dhe shkuan në Tokën e Shenjtë në Jerusalem. Atë Elpidhio pas 12 vitesh shërbimi në Jerusalem e vijoi jetën e tij kishtare nëpër vende të ndryshme të Orthodhoksisë dhe fjeti në Malin e Shenjtë.
Filumeni jetoi në Tokën e Shenjtë për 46 vjet, duke shërbyer në vëllazërinë e atjeshme të Patriarkanës, si ruajtës i vendeve të shenjta. Stacioni i fundit i shërbimit të tij ishte Pusi i Jakovit, i cili u bë edhe vendi i martirizimit të tij. Më 16 nëntor 1979 (29 nëntor me kalendarin e rij), disa fanatikë sionistë, që pretendonin se Pusi i Jakovit ju përkiste atyre, e vranë gjatë kohës së mbrëmësores, etërit Agjiotafitë morën lipsanin e tij të nderuar dhe pas pesë ditësh e varrosën në tokën e shenjtë.
Pas katër vitesh, u hap varri i atë Filumenit, që të bëhej transferimi i lipsaneve të tij. Në atë moment të gjithë të pranishmit panë një pamje të mrekullueshme. Trupi i Arkimandritit të vdekur ishte i paprishur dhe lëshonte një aromë të mirë. Varri u rimbyll deri në Krishtlindjet e vitit 1984, kur gjatë shërbesës së varrimit të kryepiskopit të Pelës Klaudit, u rihap përsëri. Trupi përsëri u gjend i paprishur dhe me aromë të mirë. Lipsani u vendos me të gjitha nderimet në një kuti lipsanesh prej xhami, e cila u vendos në pjesën veriore të Hierores së Kishës së Shenjtë të Sionit të Shenjtë, ku është kthyer në një vend pelegrinazhi për mijëra besimtarë.