Shën Anastasi Martiri i Ri nga Paramithia e Epirit
Shenjtori i ditës :
Shpirti i Shenjtorit ishte i mbushur nga zjarri i besimit të Krishtit dhe nga dashuria për atdheun e tij të robëruar. Shpresonte se Perëndia, do t’i shikonte dhimbjet dhe do t’i dëgjonte lutjet e rajave dhe do t’u falte atyre lirinë e shumëdëshiruar.
Një ditë sapo doli që të punonte në arë me motrën e tij dhe me të krishterë të tjerë, u gjendën papritur para një grupi të rinjsh të fesë myslymane që kishin në krye të birin e Pashait, Musanë. Kur panë motrën e bukur të Anastasit, u tunduan dhe nxituan ta kapnin me forcë dhe ta përdhunonin atë. Sapo Anastasi pa lëvizjet e tyre, ndërhyri që të mbronte motrën e tij dhe motra e tij arriti që t’i largohej rrezikut.
Ky veprim u konsiderua shumë fyes nga myslymanët dhe për këtë arsye ata iu drejtuan pashait dhe iu ankuan duke gënjyer se Anastasi i sulmoi pa arsye, duke i ofenduar dhe duke i goditur. Madje gënjyen edhe duke thënë se në një moment Anastasi ju kishte premtuar se do të ndryshonte besimin dhe do të bëhej Myslimman.
Pashai, babai i Musait, urdhëron që Anastasi të arrestohej menjëherë. Atë e sollën para tij, dhe pashai duke parë një djalë trimosh dhe të zgjuar, i erdhi keq dhe nuk donte që ai të torturohej dhe të vritej, duke besuar se mund t’i ndyshonte besimi me premtime dhe joshje të ndryshme. Fillimisht u burgos dhe ditën tjetër urdhëruan që ta sjellin para tij për ta gjykuar. Me qetësi dhe dashamirësi të shtirur pashai u përpoq që të fitonte besimin e tij.
“Është fatkeqësi more Anastas, që ti një trim i fuqishëm, i zgjuar dhe i bukur, të qëndrosh në vendin e rajave. Ti mund të bëhesh arkond i madh, me grada të mëdha, me para dhe të shijosh Sarajet. Unë nuk e fsheh, kam simpati për ty dhe dua që të të ndihmoj dhe që një ditë të të shikoj pasha. Mjafton që ti ta duash këtë gjë dhe të ndryshosh këto ide të vjetëruara që ke. Mjafton që të braktisësh besimin e Krishtit dhe të ndjekësh fenë e Profetit të madh Muhamed. Atëherë do të të vesh me mëndafsh dhe do të të stolis me flori. Dhe çfarë të kërkosh në jetën tënde, do ta kesh”.
Këto dhe të tjera i premtonte pashai, Anastasit të ri. Por mendja dhe shpirti i tij ishin të ngritura në qiell. Dhe sa më shumë pashai fliste dhe premtonte gjëra të ndryshme, ai i lutej Krishtit që ta ndihmonte dhe ta denjësonte që deri në fund të pohonte besimin e tij të shenjtë të krishterë para pashait.
Kur pashai mbaroi me premtimet e tij, Anastasi u përgjigj me guxim:
“Të falenderoj pashai im për premtimet dhe për të gjitha të mirat që premtove se do më japësh. Por unë i kishterë linda dhe i krishterë do të vdes. Nuk e ndryshoj besimin tim të shenjtë në Zotin Jisu Krishtit, as me gjithë të mirat dhe thesaret e tokës”.
Duke parë këtë qëndrim të Anastasit të ri, pashai urdhëroi që ta arrestonin dhe ta torturojnë çdo ditë, deri sa të ndryshojë mendim dhe të mohojë Krishtin. Por Anastasi, brenda burgut të errët, i lutej vazhdimisht Krishtit, që ta forconte në martirizimin e tij deri në fund, dhe Zoti i dërgonte fuqi dhe ngushëllim me ëngjëjt e Tij.
I biri i Pashait, Musai, u pendua që u bë shkak që Anastasi të arrinte në duart e babait të tij të ashpër. Duke kërkuar një lehtësim për shpirtin e tij, vendosi që të shkojë fshehurazi në burg dhe të vizitojë Anastasin.
Duke hyrë brenda fshehtazi që të mos e shikonte askush, u gjend para një pamje të mrekullueshme, që do të luante një rol vendimtar në vijim të jetës së tij. Shikon dy ëngjëj të ndritshëm që qëndronin pranë martirit, duke e forcuar dhe ngushëlluar, pa edhe fytyrën e Anastasit që ndriçonte e tëra.
Kjo pamje e bëri që të kuptojë, se diçka shumë e rëndësishme ndodhte me të krishtrët dhe kërkoi prej Anastasin që t’i shpjegonte se çdo ndodhte. Anastasi i ri i shpjegoi pamjen. I tha se ëngjëjt e Perëndisë i shoqërojnë të krishterët gjithmonë, në çdo hap dhe i mbrojnë ata. Musai u mahnit dhe i kërkoi Anastasit që t’i mësonte besimin e Krishterë dhe ai e katekizoi, duke i mësuar të vërtetën e besimit të krishterë orthodoks.
Në vazhdim, pas shumë torturash, pashai pa se Anastasi nuk bëhej fjalë që të ndryshonte mendje, dhe si pasojë urdhëroi që t’i prisnin kokën. Dërgon një xhelat në burg dhe më 18 Nëntor 1750 i pret kokën martirit të shenjtë Anastasi dhe e ekspozon lipsanin-trupin e tij të shenjtë, duke ndaluar varrimin e tij.
Të krishterët panë trupin e martirit të paprekur dhe që gjatë natës të ndriçohej prej një drite qiellore. Por një ditë Shën Anastasi i shfaqet Pashait në ëndërr dhe i kërkon që të lejojë që Trupin- lipsani i tij të varroset me nderimin e duhur. Pashai u tremb dhe urdhëroi varrimin e trupit martirik të Shenjtit. Atëherë murgjit morën trupin e Shenjtit dhe e varrosën në manastirin pranë qytetit.
Martirizimi dhe vdekja e Shenjtit, luajtën një rol vendimtar në jetën e Musait. Vetë ai shkoi në varrin e Shenjtit dhe i kërkoi falje. Dhe Shenjti, i shfaqet Musait në ëndërr dhe i thotë se Perëndia do ta ndihmojë. Në vazhdim të jetës së tij, Musai pendohet dhe pagëzohet në besimin e krishterë në Venecia duke marrë emrin Dhimitër. Në vijim bëhet murg në Korfuz dhe merr emrin Daniel, shkon në Kostandinopojë-Stamboll dhe më pas kthehet në Korfuz, ku vdes në paqe.
Jeta e ndritur dhe sakrifica e Shën Anastasit, e drejtoi Musanë dhe shumë të tjerë si ai tek Zoti Jisu Krisht, si edhe forcoi besimin e rajave orthodhoks. Kisha jonë e nderon kujtimin e Martirit të Shenjtë dhe të lavdëruar të Anastasit të Paramithisë më 18 Nëntor.