Shën Gjergji, Martir i Ri nga Kios
Shenjti lindi në ishullin Kios. Kur ishte 9 vjeç mbeti jetim nga e ëma, ndërsa babai i tij u martua përsëri. Kështu fëmija për nënë njohu njerkën e tij. Më pas babai i tij e solli pranë një drugdhendësi për të mësuar këtë zanat. Një ditë Gjergji bashkë me disa shokë të tij hipi në një anije dhe shkoi në Kavala. Aty, bashkë me shokët e tij shkoi që të vidhte shalqi. Rojtari i tokës me shalqinj arriti të kapë vetëm Gjergjin e vogël dhe e çoi tek kadiu. Atëherë fëmija nga frika mohoi besimin e tij të shenjtë. Njëri prej Agarinëve e mori në shtëpinë e tij dhe pas një farë kohe e dorëzoi tek një person tjetër. Të afërmit e fëmijës nuk ishin në djeni të këtyre ngjarjeve.
Gjergji filloi që të punonte si marinar në një anije. Njëherë anija arriti në limanin e Kios për të shkarkuar mallin e saj. Një i afërm e njohu Gjergjin dhe e përshëndeti, por u suprizua kur dëgjoi ta thërrisnin Ahmet. I thotë i çuditur: “Çfarë është kjo që po dëgjoj? Fëmija nuk u përgjigj, thjesht u kthye në anije pa bërë zë, pasi brenda tij, gjithmonë torturohej prej rënies së tij. Në një udhëtim tjetër u mundua që të takohej me babanë e tij, por nuk mundi. Në udhëtimin e tretë, duke veshur veshje të krishterësh takoi më në fund babanë e tij, i cili e priti me lot, duke mos mundur të besojë fatkeqësinë që kishte gjetur atë dhe birin e tij.
Duke ditur se fëmija nuk mund të jetonte në Kios me këshillën e atit të tij shpirtëror, e solli me kaiken e tij në Kidhones, ku e dorëzoi tek një besimtar i Krishterë, që ishte i njohur i tij. Shenjti atëherë ishte 10 vjeç. Ky njeri e dërgoi që të jetonte bashkë me punëtorët e tjerë në tokat e tij, por edhe që të jetë më tepër larg syrit të Turqve, se mos e njihte ndonjë prej tyre. Aty qëndroi dhe punoi deri në moshën 20 vjeçare, duke jetuar me maturi dhe devotshmëri.
Por kishte gabuar duke i rrëfyer të fshehtën e tij tek një jerondeshë, të cilën e kishte si nënën e tij. Duke u rritur filloi që të vizitonte Aivalin ku u njohi me shumë vendas dhe krijoi edhe shoqëri. Takoi që të njihte një vajzë me qëllim për t’u martuar. Të afërmit e vajzës e pyetën për gjendjen e Gjergjit dhe mësuan prej jerondeshës edhe të fshehtën e apostazisë dhe rikthimit të tij në krishtërim, por duke vlerësuar të mirat e Gjergjit, familja e vajzës, nuk u bezdis nga ky fakt.
Ndërsa dasma po përgatitej, një vëlla i nuses u zemërua me Gjergjin, pasi ky i fundit i kërkoi t’i kthente paratë që i kishte huazuar. Vëllai i nuses i zëmëruar shkoi dhe e paditi Shenjtin tek pashai i Aivalit për rikthimin në Krishtërim. Disa miq të Shenjtit mësuan për këtë tradhëti dhe e nxitën që të largohej, por shenjti as u largua edhe as u fsheh, sepse gjithë ato vite vuante në shpirtin e tij për mëkatin e mohimit.
Kadiu urdhëroi që ta sillnin të lidhur para tij. Ai i tha: Pse guxove që të lëshosh besimin tonë dhe të ndjekësh përsëri atë që mohove? Shenjti u përgjigj: As besimin tim mohova e as besimin tuaj pohova. Por kur isha fëmijë më kërcënuan që ta pranoja. Me vullnetin tim kurrë nuk e mohova besimin tim, por gjithmonë i Krishterë isha dhe si i krishter jetoja. Fenë tuaj gjithmonë e kam urryer dhe e urrej edhe nuk e pranoj.
Kur kadiu dëgjoi këto, ndyshoi taktikë dhe i thotë me ton të qetë: Na thuaj o njeri, emrin që more kur u rrethpreve. Emri im është Gjergj, i përgjigjet Shenjti, dhe me këtë emër do të vdes. Na thuaj, këmbngul kadiu, emrin tënd dhe mos e moho besimin tënd. Ne edhe nderime të mëdha do të të bëjmë dhe për të gjithë ne i dashur do të bëhesh. Por nëse nuk më bindesh, ta dish se do të vdesësh me një vdekje të tmerrshme. Emrin tim e thashë, dhe e dëgjuat. Quhem Gjergj dhe si Gjergj dëshiroj të vdes, u përgjigj shenjti. Nuk do të vdesësh me një vdekje të lehtë, i përgjigjet kadiu dhe urdhëroi që ta mbyllnin në burg.
Qëndroi në burg për 17 ditë duke i duruar të gjitha me shumë gëzim për dashurinë për Krishtin. I gjithë populli i qytetit, duke mësuar këtë ngjarje, i luteshin Perëndisë, që të forconte martirin në këtë situatë. U përpoqën që të gjenin mënyrë që ta forconin shpirtërisht në burg, në mënyrë që të përballonte sa mendimet demoniake aq edhe presionin psikologjik që i bënin të pabesët.
Përfundimisht u shpall dënimi i tij me vdekje. Atëherë të krishterët u kujdesën që një atë shpirtëror të shkonte në burg që ta rrëfente dhe ta kungonte. Ekzekutimi u urdhërua që të bëhej në sheshin e Aivalit në mbrëmjen e 25 Nëntorit. Të gjithë të krishterët ishin vigjilentë, disa në kishë, ku bënin agripni për forcimin e martirit, dhe disa të tjerë u mblodhën në shesh.
Kur arriti kadiu dhe disa Turq të parisë, sollën Shenjtin i cili vazhdimisht thoshte lutjen, “Zot Jisu Krisht, falmë mua mëkatarin” dhe “E Përmbishenjtë Hyjlindëse shpëtomë”.
E urdhëruan të gjunjëzohej, ndërsa para tij qëndronte xhelati me të gjitha armët e tij. e nxitën për herë të fundit që të mohonte Krishtin. Shenjti u përgjigj me zë të madh: Jo, jo, i krishter dua që të vdes.
Xhelati e qëlloi në shpinë dhe megjithëse gjaku filloi që të rridhte vrullshëm, shenjti qëndroi pa lëvizur si të mos kishte ndodhur asgjë. Më pas e goditi me një thikë, e cila ngeci në kockë, saqë u desh fuqi për ta shkulur që aty. Shenjti vijonte që të qëndronte i gjunjëzuar dhe duke u lutur. Përfundimisht e goditi me shkelm dhe e hodhi poshtë, e kapi nga nofulla dhe e theri si një qengj, me shumë ashpërsi dhe egërsi. Shenjti ishte 22 vjeç.
Ndërsa agripnia gjendej në mbrëmësore, gjatë litanisë. Një i krishter arriti duke vrapuar dhe tha: “Mbaroi” dhe priftërinjtë menjëherë kujtuan emrin e tij bashkë emrat e martirëve të tjerë që kujtohen në litani. Të krishterët me lot gëzimi shpirtëror dhe ngazëllimi pranuan lajmin e mbarimit martirik të Shenjtit. Fitoren dhe triumfin e Kryqit kundër armiqve të dukshëm dhe të padukshëm.
Turqit urdhëruan që Lipsani i Shenjtë të hidhej në ishullin që gjendej në gjirin e Aivalit. Por, të Krishterët e morën dhe e varrosën me shumë nderim, brenda Hierores së Kishës së Shën Gjergjit, në të djathtë të Tryezës së Shenjtë, si një lipsan martirik.
Lavdi Perëndisë ndër Shenjtorve të Tij