Apostull Filipi - Sinaksari i zgjeruar i jetës së tij!
Thirrja e Apostull
Filipit
Aposulli i lavdishëm Filip është i pesti nga grupi i nxënësve të Zotit tonë: i pari Andrea, i dyti Petro, i treti Jakobi, i katërti Joani dhe i pesti Filipi. Ai ishte me prejardhje nga Betsaida e Galilesë dhe është bashkë- qytetar i apostujve Andrea dhe Petro: “Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe Petros” (Joani: 1,44). Që kur ishte fëmijë i vogël dallohej për dashurinë e tij për Perëndinë; në vitet e tij të para prej nxënësi mësonte diturinë e huaj të judenjve, madje edhe njohurinë e “Ligjit”. Mbante me shumë kujdes në zemër fjalët e Ligjit dhe Dhiatës së Vjetër për Mesian.
Zoti ynë Jisu Krisht e takoi menjëherë mbas pagëzimit të Tij dhe si Perëndi që është, duke ia ditur dashurinë e madhe për Mesian, e fton t'i shkojë pas. Shën Filipi pa ngurrim pranon ftesën dhe shkon pas Tij, Mesias, Të Cilin e prisnin me shekuj. Në Ungjill thuhet: “Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile dhe gjen Filipin dhe i thotë: Eja pas meje!” (Joani:1,44).
Në këtë grup, Shën Filipi tërhoqi edhe mikun e tij Nathanaelin, të cilit i thotë: “Kemi gjetur Atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj si edhe profetët, të birin e Josifit nga Nazareti” (Joani:1,46). “Eja dhe shiko!” (Joani:1,47).
Filipi konsiderohet një nga nxënësit më të rëndësishëm të Zotit tonë dhe kjo në sajë të arsimimit që kishte. Shën Filipi shijoi dashurinë e madhe, besimin dhe familjaritetin e Zotit tonë dhe ndoshta në sajë të gjithë këtyre ai i kërkoi Zotit tonë t'u tregojë Atin edhe njëmbëdhjetë nxënësve të tjerë: “Zot, tregona Atin dhe na mjafton” (Joani: 14, 8). Dhe Zoti i sigurt i jep përgjigjen: “Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s'më ke njohur Filip? Ai që më ka parë Mua, ka parë Atin; dhe si thua ti: Tregona Atin? Nuk beson se Unë jam tek Ati dhe Ati është tek Unë? Fjalët që flas Unë nuk janë prej vetiu: por Ati që rri tek Unë, Ai i bën punët” (Joani:14,9-10).
Apostulli i lavdishëm Filip e përjetoi Zotin tonë nga shumë afër, në gjithë periudhën e jetës së Tij trevjeçare, kur mësoi dhe bëri mrekulli, siç dëshmohet nga Ungjillorët e Shenjtë. Ai është dëshmues “që ka parë dhe ka dëgjuar vete” mundimet e Zotit tonë, të Kryqëzimit të Tij dhe Varrimit të Tij. Shijoi Ngjalljen dhe Ngjitjen e Zotit tonë në qiell dhe së fundi u bë pjesëmarrës absolut i pranisë së Shpirtit të Shenjtë, gjatë ditës së Pendikostis.
Shorti i Apostull Filipit
Të Dymbëdhjetë Apostujt hodhën short, për të parë se ku dëshiron Perëndia që të shkojnë të predikojnë Ungjillin, sipas fjalëve të Zotit tonë që thotë: “Shkoni pra, dhe mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Dhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju. Edhe ja, Unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin!” (Matheu: 28, 19-20).
Apostull Filipit i takoi shorti të shkojë në Azi të predikoj Jisuin e kryqëzuar dhe të ngjallur së vdekurësh.(Veprat e Apostujve: 1,17). Apostulli i lavdishëm u bind, u nis dhe shkoi në vendin që i takoi me short dhe filloi të predikoj Zotin në gjithë shtetet e Parthève, Medëve, Kandakëve, etj., si dhe në gjithë qytetet e Azisë, Lidia, Likoania, Misia, Karia, etj. Me predikimin e tij hyjnor bënte shenja dhe çudira të mëdha në popull (Veprat e Apostujve: 6,8).
Ai ndërtoi kisha, rrezoi idhuj, hirotoniste dhjakonë, priftërinj dhe episkopë, shëronte të semure dhe shumë njerëz besonin në Zotin tonë. Bashkëpunëtor të tij kishte apostull Vartholomeun dhe motrën e tij Mariamnën. Gjatë turneut të tij Misionar në Azi pësoi shumë përndjekje nga idhujtarët dhe judenjtë, rrahje me kamzhik, me shkopinj, me gure, hidhërime, vuajtje etj.. aq sa u detyrua të braktisë përkohësisht Azinë.
Apostull Filipi në Athinë
Gjatë përndjekjeve të tmerrshme në Azi, apostulli i lavdishëm erdhi në qytetin e Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, në Athinë, ku qëndroi për dy vjet (rreth viteve 55 ose 59 mbas Krishtit).
Në Ungjillin sipas Joanit përmendet marrëdhënia e apostull Filipit me grekët: “Edhe ishin ca grekë në mes të tyre që ishin ngjitur për t'u falur në të kremten. Këta pra, erdhën tek Filipi nga Betsaida e Galilesë dhe i luteshin duke thënë: 'zot, duam të shohim Jisuin.' Filipi vjen dhe i thotë Andreas dhe përsëri Andrea dhe Filipi i thonë Jisuit. Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet Biri i Njeriut” (Joani: 12, 20-23).
Menjëherë pa u vonuar apostull i shenjtë Filipi filloi predikimin e tij shpëtimtar.
Një grua e vuajtur duke parë fytyrën e tij qiellore dhe duke dëgjuar mësimin e tij të shenjtë, iu afrua me lot dhe i kërkoi ndihmë për birin e saj të sapo vdekur. Apostulli hyjnor Filip e mëshiroi atë dhe duke shtrirë dorën e djathtë drejt të vdekurit, i tha: "Jisu Krishti, Të Cilin predikoj, të urdhëron të ngrihesh!"
Dhe oh! Çfarë mrekullie! I vdekuri u ngjall dhe të gjithë u mahnitën. Më shumë nga të gjithë u mahnit nëna e ish të vdekurit, e cila erdhi dhe iu fal apostullit të shenjtë dhe i tha këto fjalë: “Më ngjall me ujë dhe frymë mua dhe birin tim, të cilin ti e ngjalle!” Ajo grua, më vonë predikoi Zotin tonë dhe u shpalli të gjithëve ngjalljen e të birit.
Athinasit e ditur diskutuan për thjeshtësinë e fjalëve të tij, madje e morën shumë në konsideratë për rëndësinë e veprave të tij dhe për mrekullinë e ngjalljes së të vdekurit, që e panë me sytë e tyre. Por, egoizmi nuk i linte të përkuleshin para Perëndisë së Madh, Të cilin e predikoi apostull Filipi; dhe thoshin ndërmjet tyre: “Si t'ia bëjmë ne që kemi studiuar aq shumë dhe na mposht një njeri i thjeshtë dhe bujk, i cili në veprat duket i famshëm dhe shumë i shkëlqyer?”
Në ungjijtë apokrif (domethënë: të fshehtë) përmendet një ngjarje e jashtëzakonshme dhe e papërfytyruar, ndërkaq duhet të ketë një bërthamë historike, prandaj dhe e parashtroj në tekstin përkatës të mëposhtëm:
“Ardhja e apostull Filipit në Athinë u bë shkak i një tronditje të madhe dhe ngjarjesh të rëndësishme. Kështu, kur një mëngjes u duk nëpër rrugët e Athinës një burrë i huaj që mbante vetëm një pallto dhe një rrobë më të hollë, për të cilin thuhej se ishte filozof i madh aziatik, të treqind filozofët e Athinës, duke u trembur se mos fiton i huaji dhe t'i turpërojë, thanë: “Ne kemi mësimet e etërve tanë, në të cilat mjaftohemi për të filozofuar, nëse ka diçka më të re, o i huaj, na e trego shumë lirisht, sepse nuk dëgjojmë asgjë tjetër, përveç ndonjë gjëje më të re”.
Filipi për një kohë të gjatë u shpjegoi atyre dogmën e re, shpjegim që e përforcoi me anën e mrekullive.
Filozofët e mahnitur u detyruan t'i shkruajnë një letër kryepriftit të madh të Jerusalemit, Ananias."
Kryeprifti i judenjve Anania në Athinë
Duke menduar kështu, athinasit “stërnipërit” e dijetarëve, të Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, i dërguan me një njeri të shkolluar një letër kryepriftit të judenjve, Ananias. Njeriu i shkolluar i dha letrën dhe i tha:
“Erdhi një njeri prej këtej ndër ju, i quajtur Filip, i cili nga të folurit është fshatar, por nga veprat është i mrekullueshëm dhe e shqetëson shumë vendin tonë, duke predikuar një Perëndi më të ri, të quajtur Jisu, me emrin e të cilit dëbon demonët dhe çdo sëmundje tjetër. Në mënyrë të shkëlqyer bëri atë mrekulli të madhe, për të cilën u mahnitën të gjithë: ngjalli të vdekurin pasi thirri emrin e Jisuit. Kështu që rrezikojnë të përbuzen dhe të ndalojnë plotësisht nderimet tona dhe të shtohet kjo e re, në qoftë se nuk vjen shpejt ndër ne ndonjë nga ju”.
Kur i dëgjoi këto kryeprifti Anania, u nis plot zemërim nga Jerusalemi për në Athinë. Me një fantazi krenare dhe pa vënë gjë në gojë, i veshur me rrobën madhështore të kryepriftërisë, ndenji në një fron të lartë dhe madhështor. Të pranishëm ishin treqind dijetarët e Athinës dhe pesëqind judenjë që kishin ardhur në suitën e tij.
Apostull Filipi përpara tribunës gjyqsore të kryepriftit Anania në Athinë
Kryeprifti Anania urdhëroi të sjellin para tij të akuzuarin, apostullin e lavdishëm Filipin. Sapo erdhi nxënësi i Zotit tonë dhe ndenji në bangën e të akuzuarit, kryeprifti Anania i tha me zemërim të madh:
"A s'të mjafton që mashtrove njerëzit e thjeshtë që gjendeshin në Jude, Galile dhe Samari, por vure ndër mend të mashtrosh edhe dijetarët athinas, o më i poshtri i gjithë njerëzve? Përveç meje që të përbuz si të mashtruar dhe pa mend dhe nuk pranoj të të flas, dua vetëm të flas para këtyre dijetarëve athinas dhe t'i mësojë për këtë çështje.
Mësuesi i këtij o burra athinas, si shkelës i ligjit të Moisiut, u akuzua nga ne siç duhet dhe me të drejtë, duke u dënuar me vdekje në kryq, i zhveshur dhe i varur qëndroi mbi dru. Një i pasur i quajtur Josif, iu lut Pilatit dhe Pilati i lejoi ta varrosnin. Nxënësit e tij për hir të miqësisë, duke ardhur natën, e vodhën trupin e Tij që të mashtrojnë shumë njerëz dhe kështu mbollën kudo fjalën, duke përhapur famën e mësuesit të tyre, se u ngjall. Njëri prej tyre është edhe ky, Filipi, të cilin kërkon ta shtjerë në dorë mbreti i judenjve, Arkelau dhe ta vrasë për hakmarrjen e shumë njerëzve."
Fjala mbrojtëse e Apostull Filipit ndaj akuzës së kryepriftit Anania
Këtyre akuzave apostulli i lavdishëm Filip iu përgjigj me përulësi dhe qetësi, duke thënë: "O bir njeriu, përse e do kotësinë dhe thua gënjeshtra? A nuk i pagove ti me ar rojet, që të shpifnin për ngjalljen? A nuk i dije ti vulat, që i vure në varrin e tij, o shkelës i ligjeve?
Kryeprifti Anania u zemërua jashtë mase dhe duke u ngritur nga froni i tij madhështor, iu vërsul me zemërim të madh apostull Filipit për ta vrarë. Por, oh, çfarë mrekullie! Në çast mbeti i palëvizur dhe u verbua. Shoqëruesit e priftit Anania, judenjtë dhe athinasit e pranishëm, duke pandehur se apostull Filipi i bënte këto me anën e fuqisë magjike, u hodhën me zemërim të madh kundër tij. Por, edhe ata u dënuan nga Perëndia i Shenjtë, duke mbetur pa lëvizur dhe u verbuan.
Apostullit të lavdishëm Filip iu dhimbsën dhe iu lut Zotit duke thënë:
"O Zot shëro sëmundjet e shpirtit dhe të trupit të tyre, për mëshirën dhe mirësinë Tënde të madhe. Ndryshoje mendjen e tyre në njohuri të saktë dhe në besim!" Dhe oh, çfarë mrekullie! Lëvizën nga moslëvizja dhe u shëruan nga verbimi dhe të gjithë së bashku kërkonin t'i pagëzojë. Dhe ndërsa bëheshin këto, një tërmet lëkundi qytetin e Athinës dhe u rrëzuan gjithë idhujt brenda të cilëve kishin ngritur folenë demonët. Gjithë njerëzit përikën tek apostull Filipi i lavdishëm dhe thërrisnin me zë të lartë: “I fortë është Perëndia që ti predikove, o i mrekullueshëm. Në Atë besojmë edhe ne pa ngurruar dhe pa dyshim”.
Çahet dheu dhe përpin kryepriftin Anania të gjallë
Apostull Filipi i pagëzoi të gjithë menjëherë dhe vetëm prifti Anania mbeti në errësirë. Anania, duke parë se të gjithë besuan në Krishtin dhe u pagëzuan nga apostull Filipi në emrin e Shën Trinisë, filloi të mallkojë paturpësisht, duke thënë kundër Zotit tonë fjalë poshtëruese.
“Edhe dheu, duke mos duruar marrëzinë dhe shkeljen e ligjit, u ça dhe e përpiu të gjallë, si atëhere Datanin dhe Abironin, bijtë e Eliavit nga fisi i Rubenit, të cilët ngritën krye kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë sikur këta mashtrojnë popullin dhe e shpien në shkatërrim” (Ligj. Përt: 11, 6; Numrat:16 dhe 26,7-10; Psalmi 95,17 dhe Dituria e Sirahut 45,18.)
Kisha e Shenjtë e Shën Filipit
Veprat apokrife të Shën Filipit përmendin se “Apostull Filipi qëndroi në Athinë për dy vjet, duke ungjillëzuar Fjalën e Perëndisë, madje e futi në dhe të gjallë kryepriftin e judenjve Ananian, sepse e kundërshtonte këtë”. Në atë vend ku u fundos Anania, u ndërtua Kisha e Shenjtë e Shën Filipit, në kohën e të krishterëve të parë të Athinës, mbas nisjes së apostullit të shenjtë në Azi.
Një tjetër traditë ka lidhje me fjalët e një shkrimi anonim për gjërat e jashtëzakonshme, ku përmendet se: “Në veri të këtij altari, (kështu karakterizohet tempulli Thision) ishte tregu i qytetit, ku apostull Filipi fundosi sekretarin e judenjve”.
Ishte edhe një variant tjetër, ku thuhej se Apostull Filipi e ngjalli birin e gruas së ve të Athinës, e cila nga mirënjohja e madhe e mirëpriti në shtëpinë e saj dhe këtë shtëpi e ktheu në kishë të Shën Filipit “Më poshtë derës së Agoras (domethënë; tregut), ku kisha ruhet gjer më sot”.
Dhe së fundmi një shkrimtar anonim, i cili ka bërë turne në Greqi gjatë mesit të shekullit të pesëmbëdhjetë, mbas Krishtit, përmend edhe ai “se në atë pikë ku u fundos kryeprifti i judenjve Anania, u ndërtua Kisha e shenjtë e Shën Filipit”.
Kisha e sotme e Shën Filipit
Kryepeshkopi i Athinës Hristostomos Papadhopulos përmend këto: “Kisha e Shën Filipit tregon vendin ku apostulli i shenjtë Filip iu nënshtrua martirizimit të tij” domethënë, në pikën ku është Kisha e sotme e Shën Filipit, në rrugën 'Adrianu 19'.
Sipas arkeologëve nën tabanin e kësaj Kishe të shenjtë është Mitropolia e lashtë me tre ndarje, e nderuar me emrin e apostullit të shenjtë të lavdishëm Filipit. Por, ka mundësi që kjo dëshmi të mos i referohet atij, por episkopit të Athinës Filipit të martirizuar në vitin 981 mbas Krishtit.
Shën Narkisi, episkop i Athinës
Mbas fundosjes së Ananias, apostulli Filip predikoi tek athinasit dhe i pagëzoi ata bashkë me treqind filozofët, si edhe pesëqind judenjtë, që shoqëruan Ananian. Hirotonisi Shën Narkisin, të cilin e përmend apostull Pavli në letrën drejtuar romakëve: “Përshëndetini ata të Narkisit, ata që janë në Zotin” (Rom.16,11). Narkisi ishte episkopi i Athinës dhe festohet në 31 Tetor.
Apostulli i lavdishëm Filip kthehet në Azi
Pas ngjarjeve të mësipërme të athinasve apostull Filipi kthehet në Azi dhe vjen tek Parthet. Atje i gjunjëzuar, falet dhe i lutet Zotit t'ia drejtojë hapat në rrugën e Ungjillit. Nëpërmjet një vegimi shikon një shqiponjë me krahë të arta, që përfaqësonte Zotin e Kryqëzuar. I mbushur me gëzim dhe forcë udhëton në vendin e Kandakëve. Pasi hipën në një anije me destinacion në qytetin Azot, atë natë kur po udhëtonin u bë një fortunë e madhe në det dhe në errësirë rrezikuan të fundoseshin.
Atëherë u duk në qiell Kryqi i Nderuar, që ndriçoi errësirën e natës dhe të gjithë të shpëtuar arritën në tokën e Azotit.
Shërimi i syrit të shenjtës Haritina
Në tokën e Azotit Apostulli Filip arriti në një shtëpi, ku të zotët e saj kishin një vajzë me emrin Haritina. Ajo rrezikonte të humbiste dritën e njërit sy. Duke dëgjuar predikimin e shenjtorit, ata besuan dhe u pagëzuan. Ati i vajzës iu lut Shën Filipit të shërojë syrin e vajzës së tij, Haritinës. Por, apostulli i tha vajzës së sëmurë: “Dua që ta shërosh vetë sëmundjen tënde Haritina. E dhuroj fuqinë jo vetëm tek ty, por edhe në gjithë ata që morën Pagëzimin e Shenjtë, që të bëni mrekullira.
Në mëngjes vëre dorën e djathtë mbi syrin tënd, duke thirrur emrin shpëtimtar të dhespotit Krisht, që të marrësh shërimin tënd”. Dhe kështu u bë. Por, banorët e Azotit deshën që ta vrisnin apostull Filipin me akuzën e mashtruesit dhe me pretekstin që po largoheshin gratë prej tyre, siç iku Haritina nga prindërit e saj. Por, qëllimet e tyre satanike nuk patën sukses, sepse apostulli nuk e kishte përfunduar veprën, që ia kishte ngarkuar Krishti ynë.
Pagëzimi i qeveritarit dhe gruas së tij Markelës
Qeveritari i qytetit të Azotit e shpëtoi Apostullin e lavdishëm Filipin nga vrasja me gurë, kur Haritina e pasoi atë. Ai e shpëtoi, duke u thënë bashkëvendasve të tij: “Vëllezër, dëgjoni këshillën time! Mos i bëni këtij të huaji ndonjë padrejtësi, por le t'i provojmë mësimet e tij, nëse janë për shpëtimin tonë shpirtëror”.
Kështu, të gjithë u bindën me fjalët e qeveritarit, ndërkaq, ai ra në këmbët e apostullit dhe iu lut të vinte në shtëpinë e tij. Filipi pranoi të shkonte në shtëpinë e qeveritarit, por gruaja e atij, Markela, u skandalizua dhe nuk deshte të vinte Filipi hyjnor në shtëpinë e tyre. Prandaj u zu me të shoqin. I kërkoi ndarjen dhe kthimin e gjithë pajës së saj (pasurinë), nëse nuk do ta dëbonte menjëherë apostullin e ftuar.
Sundimtari u mërzit dhe Shën Filipi i ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë mësoi shkakun e mërzitjes dhe menjëherë u lut për Markelën.
Frytet e asaj lutje qiellore nuk vonuan të duken. Markela ndërroi menjëherë ndjenjat dhe nga dëshira që kishte për dëbimin e apostull Filipit, e mirëpriti dhe i thoshte të shoqit të saj: “Nga erdhi ky njeri i mrekullueshëm? Oh, sa të ëmbla ishin fjalët e tij....” I shoqi i saj, qeveritar i qytetit i tha: “O grua, ky njeri është zëdhënës i Perëndisë dhe ambasador i Mbretërisë së Përjetshme dhe le të besojmë tek ai”.
Dhe me të vërtetë besuan dhe u pagëzuan edhe qeveritari i qytetit Azot bashkë me të shoqen, Markelën, si dhe gjithë të tjerët: fëmijët e tyre, skllevërit, farefisi dhe shumë banorë të qytetit të Azotit. (ky qytet gjendej në brigjet juglindore të detit Mesdhe).
Apostull Filipi para prefektit Aristark
Djalli, duke parë veten të mposhtur, shtyu disa nga besnikët e tij, për t'i vënë zjarrin shtëpisë së qeveritarit, që të digjen brenda në të qeveritari, e shoqja Markela, fëmijët e tyre dhe kushdo tjetër që punonte dhe banonte atje brenda. Apostulli i lavdishëm Filipi, duke i ditur gjithë këto nga Shpirti i Shenjtë doli dhe iu dorëzua armiqve të tij dhe të Zotit tonë. Pasi e arrestuan, si bisha të egra, e morën dhe ia dorëzuan prefektit të qytetit, Aristarkut.
Aristarku, duke qëndruar karshi apostullit të shenjtë Filip, i tha me shumë zemërim:
"E di që lëvdohesh për magjitë e tua. Por nëse nuk i heq nga vetja, do të vras me gurë në mënyrë shumë të hidhur. Sa për Perëndinë tënd të Kryqëzuar do ta shqyrtojmë pastaj me kohë." - dhe duke thënë këto e rrëmbeu apostullin e lavdishëm nga flokët, e tallte dhe e zvarriste nga një vend në tjetrin...duke e torturuar.
Apostulli hyjnor Filipi i priste këto me durim, por që ta bënte të arsyeshëm prefektin egoist Aristarkun dhe që ta mësonte i gjithë populli që vërente torturat e tij, se ishte shërbëtori i Perëndisë së Plotëfuqishëm, bëri një lutje me gjithë fuqinë e shpirtit të tij për gjithë dëgjuesit:
"O Zot, Ti që krijove zemrat tona dhe i di lëvizjet dhe mendimet e tyre, plotësoma këtë lutje, e cila del pa zemërim nga zemra ime dhe që të bëhen të arsyeshëm të pranishmit, të paralizohet ajo dorë e çrregullt që guxoi të shtrihet mbi kryet që Ti shenjtërove."
Dhe oh, çfarë mrekullie! Ashtu u bë. Jo vetëm që e paralizoi dorën e Aristarkut, por iu verbua edhe njëri sy, humbi dëgjimin nga të dy veshët dhe së fundi u bë memec.
Apostull Filipi ngjall Theofilin
Ata që ishin aty dhe vërenin ngjarjet që pasuan, iu lutën apostullit që ta falte Aristarkun dhe ta shërojë, siç ishte në fillim. Por, apostulli tha në mënyrë të prerë: “Deformimet e gjymtyrëve nuk mund të ndihmohen nga njeriu, sepse një është Ai që i rregullon, është Krijuesi, I Cili që në fillim krijoi njeriun nga dheu. Dhe nëse nuk besoni në Perëndinë Krijues, ju edhe ai që e pësoi, nuk e merr shërimin e tij”.
Ndërkaq, në atë moment, po shkonin të varrosnin një të vdekur. Shoqëruesit e Aristarkut gjetën shkak për t'u tallur me Filipin e lavdishëm dhe i thonin qëllimisht: “Nëse do ta ngjallësh atë të vdekur, të gjithë do t'i falemi Perëndisë tënd dhe bashkë me ne edhe Aristarku”.
Shën Filipi, duke ngritur sytë në qiell, u fal dhe me zë të butë i tha të vdekurit: “Theofil, Krishti të urdhëron, ngrehu dhe fol ç'të duash, pa pengesë!”
Dhe i vdekuri.... Oh, çfarë mrekullie! U ngrit dhe i ra në gjunjë apostullit Filip duke i thënë: “Të falenderoj ty, o shenjt i Perëndisë, se në këtë kohë më çlirove nga shumë të këqija, sepse më zvarritën për gjyq disa të zinj dhe të shëmtuar që të më hidhnin në skëterrën e humbjes, gjë që do të bëhej, nëse ti nuk do të arrije të më çliroje mua të gjorin”.
Kjo ngjarje i bëri të gjithë të tmerrohen dhe të admirojnë fuqinë e Perëndisë, që vepron për apostullin e Tij dhe për rastin konkret nëpërmjet apostull Filipit.
Apostull Filipi shëron dhe pagëzon Aristarkun, Prefevktin dhe shumë banorë të tjerë të qytetit të Azotit
Njerëzit, duke parë këto ngjarje të mrekullueshme, hodhën poshtë çdo dyshim dhe ngurrim dhe besuan në Zotin tonë nëpërmjet apostull Filipit dhe thanë: “Apostull Filipi! Ai, Të cilin ti e predikon, i cili bën këto gjëra të jashtëzakonshme, është i vetmi Perëndi i Vërtetë dhe i Plotëfuqishëm. Atij Perëndie i falemi të gjithë, o i mrekullueshëm dhe i besojmë”.
Filipi i shenjtë duke dhenë shenjë me dorë që të ndalej zhurma, urdhëroi qeveritarin e qytetit të shoqin e Markelës, të bëjë shenjën e Kryqit të Nderuar Jetëdhënës mbi trupin e Prefektit Aristark, duke thirrur Trininë Shenjtë. Qeveritari beri sa tha Shën Filipi dhe Aristarku u bë fare mirë. Ai u pagëzua menjëherë bashkë me të gjithë banorët e Azotit.
Ndërmjet të pagëzuarve ishte edhe një njeri me emër Prefevkt, i ati i atij që u ngjall nga vdekja. Madje, Prefevkti i dha Shën Filipit t'ua ndante të varfërve të dymbëdhjetë perënditë (idhujt) e artë, që i kishte dhe i adhuronte më parë, si dhe gjithë pasurinë tij.
Apostull Filipi, duke i mësuar dhe forcuar banorët e tokës së Azotit në besën e Krishtit dhe duke hirotonosur (dorëzuar) episkop të atij qyteti, qeveritarin, të shoqin e Markelës, madje duke hirotonisur dhiakonë dhe priftërinj si dhe duke i urdhëruar të ndërtojnë kisha, ku të adhurohet Perëndia i Shenjtë dhe Triadik, u nis për Frigji.
Vepra e madhe shpirtërore e Apostull Filipit shfaqet nga vendi i episkopit të qytetit të Azotit. Episkopata e këtij vendi është e rëndësishme; kjo dëshmohet nga raportet e sinodeve, se deri në shekullin e gjashtë mbas Krishtit, bariu i saj nënshkruan si, “Episkopi i Azotit”.
Apostull Filipi në Frigji
Duke ardhur në vendin shumë të populluar të Frigjisë, apostulli i lavdishëm Filip takoi atje apostullin Joan, i cili edhe ai predikonte Jisuin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur së vdekurësh. Së bashku arritën në Ierapoli.
Atje, ku qëndroi, u hidhërua shumë, sepse banorët e atjeshëm “I faleshin si perëndi një nepërke të madhe dhe të frikshme, së cilës ata çnjerëzorë i sillnin njerëz për t'i flijuar. Brenda asaj bishe banonte djalli. Duke iu afruar asaj bishe, apostull Filipi shumë i famshëm, u fal Zotit tonë dhe duke përmendur emrin e Tij, emri i frikshëm i Dhespotit Krisht, që nuk e përballojnë dot demonët, e vrau nepërkën duke u dhënë banorëve të qytetit një spektakël të frikshëm”.
Në vazhdim i mësoi se Biri i trupëzuar dhe Fjala e Perëndisë, Zoti ynë Jisu Krishti, do të vijë përsëri për herë të dytë. Dhe atëherë do të ngjallë gjithë gjeneratën e njerëzve dhe do ta shpërblejë secilin sipas veprave të tij. Të gjithë sa janë të pagëzuar dhe ruajnë ligjin e Tij “do të trashëgojnë Parajsën e përjetshme” (Mat. 25, 34); dhe ata që janë të pagëzuar, por nuk e ruajnë ligjin e Tij, do të kenë vend në ferrin e përjetshëm bashkë “me djallin dhe engjëjt e tij” (Mat. 25, 41). Mjaft njerëz i dëgjuan fjalët e Shën Filipit dhe besuan. Shenjti i pagëzoi ata dhe prej tyre hirotonisi dhjakonë, priftërinj dhe episkopë.
Martirizimi i Apostull Filipit
Por, djalli vuri në lëvizje veglat e tij kundër Filipit hyjnor. E arrestuan, e rrahën dhe i bën shumë tortura. Turtura më e tmerrshme ishte se ja çpuan astragalet (noçkat e këmbëve) prej nga e varën kokëposhtë në kryq në formë "X" (Iks-i). Bashkë me të, varën edhe apostull Vartholomeun. Mariamni, motra e apostull Filipit, nuk iu nënshtrua asnjë torture, përveç tortures shpirtërore që të shihte vëllanë e saj të varur si kriminel bashkë me Vartholomeun, “të cilët u lodhën shumë në vreshtin e Zotit”.
Zoti duke parë martirizimin e nxënësve të Tij, lëkundi dheun me një tërmet të fuqishëm, kështu që shumë shtëpi u rrëzuan dhe shumë njerëz gjetën vdekje të hidhur nën gërmadhat. Gjatë këtij tërmeti banorët e Frigjisë, “duke rrahur kraharorët e tyre” (Lluka: 23, 48) dhe duke ardhur me lotë para kryqit të apostullit të lavdishëm Filip, i luteshin t'i falë për mëkatin e tyre të madh.
Fundi i Apostull Filipit
Zoti, nga njëra anë pranoi pendesën e njerëzve të qytetit, e ndaloi tërmetin dhe shpëtuan të gjithë nga vdekja e dhimbshme; nga ana tjetër u tregoi një vegim të mrekullueshëm, shenjë e fuqisë më hyjnore, ku u duk një shkallë nga toka deri në qiell që u tregonte ngjitjen. Kjo u bë rrugë shpëtimi për të pabesët, të cilët pohuan Zotin tonë “se është Perëndia ynë i vërtetë dhe i vetëm” dhe zbritën apostullin Vartholome nga kryqi ku ishte varur. Kur erdhën ta heqin nga kryqi në formë 'X' edhe apostull Filipin, ai nuk pranoi, duke ditur se mbas pak kohe do të shkonte “të takojë Mesian”. Lart në kryqin e tij vazhdoi ta mësojë popullin që të ruajë ligjin e Perëndisë.
Ndërsa thoshte këto, iu fal Zotit tonë dhe shpirti i tij i lumur shkoi pranë Zotit më 14 Nëntor të vitit 80 ose 87 mbas Krishtit.
Lipsani i Shenjtë i Shën Filipit
Lipsanin e tij të shenjtë dhe të nderuar e varrosën me respekt të madh fetar Vartholomeu dhe e motra e Shën Filipit, Mariamni; ndërkohë turma e besimtarëve psalte tropare dhe himne për Perëndinë.
Një copë e vogël nga lipsani i tij i shenjtë është vendosur në Kishën e tij të vogël dhe mikëpritëse në Monastiraqi, në rrugën 'Adrianu 19.'
Kjo copë e vogël e lipsanit të shenjtit u muar në korrik të vitit 1989 me inisiativën e Protoprezviterit at Athanas A. Attart nga Manastiri i Shenjtë Agostiniane Santa Lucia, Romë.
Në arka të tjera lipsanesh ka copë të vogla nga lipsanet e apostujve si, të apostullit kulmor Petro, Shën Thomait që dyshonte, të cilët u morën me inisiativën e këtij prifti.
Arka e lipsanit të Shën Filipit
Ajo copë e vogël e lipsanit të Shën Filipit ruhet në një arkë të veçantë prej argjendi 925° të punuar me dorë në përmasat: lartësi 27 cm., gjatësi 31,5 cm. dhe gjerësi 16 cm. Peshon 3,600 gr. Përreth janë skalitur pamjet e rrahjes së Shën Filipit; kryqëzimi i tij në kryqin formë "X"; varrosja e shenjtit; qortimi që ai i bëri kryepriftit të judenjve Anania; ngjallja e djalit të gruas së ve, pagëzimi i athinasve të parë; apostulli drejton tek Mesia mikun e tij Nathanail dhe Shën Filipi hirotonis Narkisin, episkop të Athinës.
Arka e lipsaneve hapet dhe në pjesën nga brenda të kapakut, që mbahet nga zinxhirë, është skalitur Shën Filipi duke na bekuar dhe shenjtëruar ne të gjithë. Nga ana e jashtme ka pesë kupola (kube) argjendi, katër të vogla dhe një të madhe, që stolisen me katër gurë të vegjël të çmuar zafiri dhe një më të madh, përkatësisht.
Mbi bazën e arkës është vendosur copa e vogël e lipsanit të shenjtë të apostullit të shenjtë e të lavdishëm Shën Filipit. Rreth e qark është ky përshkrim historik:
Lipsani i shenjtë i Apostullit të Shenjtë të Lavdishëm Filipit, i dhuruar nga Manastiri i shenjtë "AGOSTINIANE S. Lucia Roma" me ndërmjetimin e të krishterit Orthodhoks (Mr. Philippe Regamey, Zvicër) për priftin shumë të nderuar At Athanas A. Attart, më 18 Dhjetor 1998.
Me qindra besimtarë vërshojnë çdo ditë për të adhuruar Perëndinë tonë të Shenjtë Triadik dhe të nderojnë Apostullin e Lavdishëm Filipin, madje edhe të Dielave duke psalur të gjithë së bashku Përlëshore dhe Madhështime.
Apostullit, oratori Nikita i thurr një bisedë që fillon kështu: “Thithni ujë me mirësinë...” Kjo bisedë ruhet në Manastirin e Mali të Shenjtë; në Lavrën e madhe në Dhionisiu dhe në Vatopedhi.
Gjithashtu në Manastirin e Shenjtë Ivirion të Malit të Shenjtë ruhet një bisedë lavdëruese që fillon kështu: “O Perëndi fjalë e Perëndisë...”
Gjithashtu në manastirin e shenjtë të Lavrës së Madhe ruhet një bisedë tjetër...
"Ju jemi miqtë e mi" (Joani 15, 14)
Duke e mbyllur këtë punim mbi jetën dhe veprën e apostullit të lavdishëm Shën Filipit, le t'i lutemi të ndërmjetojë për ne shërbëtorët në Kishën e vogël mikpritëse dhe historike në rrugën "Adrianu 19" (Athinë), për ata që shkojnë në atë Kishë, për ata që e ruajtën atë nga tërmeti i tmerrshëm i shtatorit të 1999-ës dhe për çdo shpirt, që të na ndihmojë edhe ne si miqtë e tij në këtë jetë dhe të na udhëheq në jetën e ardhshme në Mikun e tij të vetëm dhe Mikun tonë, Zotin Jisu Krisht.
E Atij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin!
Protopresviter Athanasios A. Attart