Oshënar Zosimea : 4 Prill
Jetoi në vitet e perandorit Justinian (527-565). Sipas
biografit të Shën Sofronit, Kryepiskopit të Jerusalemit, ju përkushtua
Perëndisë që fëmijë dhe u ushtrua në të gjitha llojet e vyrtyteve. Shkoi në një
rreth asketësh që të mësohej nga vyrtyti dhe dituria e tyre dhe jetoi në një
manastir në Palestinë. Dëshira e tij ishte të nënshtronte trupin ndaj shpirtit.
Bëri bindje tek jerondët e manastirit dhe me gëzim të madh zbatoi kanonet dhe
llojet e asketizmit që ata i dhanë. Ushqimi i tij ishte i thjeshtë dhe ai e
kursente atë duke bërë punë fizike. Kohën e tij më të madhe e kalonte me
psalmodhi dhe me studimin e Shkrimeve të Shenjta. Shumë herë Oshënari ishte
denjësuar për të parë vegime, në përputhje edhe me fjalën e Zotit “Lum të
pastërtit në zemër, sepse ata do të shikojnë Perëndinë”. Me përpjekjet e tij
shpirtërore arriti vyrtetet e larta të diturisë, vetëpërmbajtjes dhe shenjtërisë.
Kështu avash avash fama e shenjtërisë së tij arriti kudo dhe shumë murgj nga
manastiret fqinje dhe të largëta e vizitonin që të këshilloheshin me të dhe të
fitonin dobi shpirtërore prej mësimeve të tij.
Në këtë manastir Shën Zosimea jetoi me gjithë fuqinë e jetës asketike deri në vitin e 53 të jetës së tij. Por ai dashuronte jetën hezikaste në shkretëtirë. Duke dashur që të përpiqej akoma edhe më shumë shpirtërisht, vendosi që të vendoset në Manastirin e Pararendësit të Nderuar në lumin Jordan. Aty përkushtohet me asketizëm të rreptë dhe kreshmë. Porta e manastirit qëndronte gjithmonë e mbyllur, në mënyrë që murgjit të mund të luteshin dhe të asketizonin të pashqetësuar. Hapej vetëm kur ndonjë murg kishte nevojë të madhe të dilte nga manastiri, por kjo gjë ishte e rrallë sepse manastiri ishte në një vend të shkretë dhe të vështirë.
Gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe Oshënar Zosimea largohej për në shkretëtirë, ku me pëlqimin e Përëndisë u takua me Oshënare Maria Egjiptianen, të cilës i dha edhe Misteret e Shenjta. Oshënar Zosimea fjeti në paqe në një moshë të thyer.