Shën Gjergji nga Efesi : 5 Prill
Martiri i shenjtë Gjergji lindi në Efestin e Ri në vitin 1756. Ndoqi jetën martesore dhe bashkë me bashkëshorten bënë fëmijë. Por, gjatë korrikut 1798, i gjendur në një gjendje të dehur, u bë mysliman duke mohur Krishtin. Pasi për këtë veprim ndjeu turp, u largua nga Efesi dhe shkoi në Samo.
Gjatë periudhës së mungesës së tij të krishterët filluan që të ndërtonin një kishë në Efes, pasi më parë kishin marrë edhe lejen përkatëse prej Kostandinopojës. Turqit, të zemëruar nga ndërtimi i kishës së Orthodhoksëve me lejen mbretërore, akuzuan të krishterët sikur kishin vrarë Gjergjin si apostat të besimit dhe sikur e kishin fshehur lipsanin e tij në themelet e kishës së re. Por Gjergji më vonë u gjend dhe me dhunë u soll në Efes, ku turqit i bënë presion që të rikthehej në fenë myslimane. Por ai arriti që të largohej përsëri për në Samo, ku u arrestua dhe u mbyll në burg. Mirëpo, me ndërmjetësimin e pleqve të Samos e liruan sërish.
Trazirat dhe anomalitë në Efes vazhdonin. Atëherë Gjergji, pasi u pendua dhe erdhi në vete, mori vendim për t’u martirizuar. Largoi familjen e tij, që ta mbronte nga fanatizmi i turqve dhe u paraqit para kadiut turk, tek i cili pohoi besimin e tij tek Krishti. Atëherë turqit filluan joshjet dhe kërcënimet. Dhe kur panë qëndrueshmërinë e Shenjtit, i prenë kokën. Ishte viti 1801, ditë e Premte. Të krishterërt morën lipsanin e tij të shenjtë dhe e varrosën me devotshmëri në varrin e Neomartirit të Shenjtë Polidhor.