Oshënar Varsanufi, episkop i Tverit dhe Kazanit : 11 Prill
Oshënar Varsanufi, sipas botës Vasil, lindi në vitin 1495 në Sepruhov të Rusisë dhe ishte me origjinë nga një familje priftërore. Ndërsa ishte i ri, u zu rob nga tartarët e Krimesë. Duke e pranuar këtë fakt si vullnet të Perëndisë, me përulësi ju nënshtrua zotërinjve të tij duke përmbushur çdo detyrë që ata i ngarkuan. Por pas tre vitesh, i ati i tij ia doli që ta merrte përsëri.
Shenjti u bë murg në vitin 1515 në Manastirin e Shpëtimtarit, të Shën Andronikut të Moskës dhe shërbeu si hierodhjakon në Episkopatën e Tverit. Dhuntitë e tij dhe jeta e pëlqyeshme nga Perëndia e bënë Mitropolitin e Moskës Makario që ta vendoste në Manastirin e Shën Nikollës në Pesna, pranë Moskës. Më pas shkoi në Kazan dhe themeloi një Manastir të kushtuar Metamorfozës së Shpëtimtarit. Ndërsa gjendej në Kazan, Arkimandriti Varsanuf ndihmoi Shën Gurian (15 Dhjetor) në përhapjen e besimit të krishter tek myslimanët dhe tek idhujtarët. Njohja e gjuhës tartare ishte dhumë e dobishme për veprimin e tij hierapostolik.
Në vitin 1567 Shën Varsanufi zgjidhet Episkop i Tverit dhe Kazanit. Kur arriti në një moshë të madhe, u kthye në Kazan në Manastirin e Metamorfozës që kishte ndërtuar. Aty mori Skimën e Madhe Ëngjëllore dhe fjeti me paqe në vitin 1576.
Lipsanet e tij të shenjta të Shën Gurias dhe Varsanufit u zbuluan më 4 Tetor 1596 dhe u vendosën në lipsanothiqe në paraklisin e Kishës, sipas udhëzimeve të Patriarkut Jov. Më 20 Qershor të vitit 1630 lipsanet e tyre që buronin hir u transferuan nga Manastiri i Metamorfozës në kishën katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses.