Shën Grigori V, Patriark i Kostandinopojës : 10 Prill
Grigori lindi në vitin 1745 në Dhimicana. Prindërit e tij, Joan Angjelopulos dhe Asimina, ishin të varfër. Në pagëzimin e shenjtë mori emrin Gjergj, mësoi shkronjat e para nga xhaxhai i tij, hieromonaku Melet dhe më pas u largua dhe u vendos bashkë me të në Smirni. U qeth murg në manastirin e ishullit Strofadhon dhe përfundoi formimin teologjik në Shkollën e Patmosit.
Kur u kthye në Smirni, mitropoliti Prokop, i cili ofroi për Grigorin dashuri atërore, e hirotonisi dhjakon dhe më pas presviter dhe kur Prokopi u zgjodh në fronin ekumenik (1788), e hirotonisi pasues të tij në Mitropolinë e Smirnit.
Për 12 vite hierarku oshënar baritoi me ndërgjegje dhe zell apostolik qytetin e madhe dhe të pasur të Smirnit, mitropolin e Helenizmit të Azisë së Vogël. Ai restauroi kisha të ndryshme, themeloi shkolla dhe organizoi një sistem mirëqenieje për të varfërit dhe të vuajturit.
Në vitin 1797 zgjidhet patriark ekumenik. Ai mori përsipër të ngrejë nderin e Patriarkanës, duke restauruar pallatin patriarkal në Fanari. Ai themeloi gjithashtu një shtypshkronjë që botonte libra në gjuhën popullore, e cila kontribuoi shumë në zgjimin kulturor dhe shpirtëror të popullit grek. Hierarku i shenjtë ishte vigjilent për respektimin me besnikëri të kanuneve kishtare dhe integritetin moral të klerit.
Në atë kohë të trazirave të mëdha, kur grekët, pas gati katër shekujsh skllavëri ndaj turqve, kishin filluar të përgatiteshin për revoltën e tyre, patriarku, plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij baritore, u përpoq t'i zbusë shpirtrat e rebeluar, duke vepruar fshehtazi për çështjen kombëtare.
Pas vetëm një viti e gjysëm, e akuzuan tek sulltani disa episkopë, të cilët ai i kishte dënuar për sjelljen e tyre, dhe si pasojë u internua nga pushteti osman në Kalkidona dhe më pas në manastirin Iviron të Malit të Shenjtë. Gjatë internimit në Malin Athos, hierarku i shenjtë vizitoi të gjitha manastiret, predikoi fjalën e Perëndisë dhe ishte për të gjithë shembull i jetës murgjërore. I dha bekimin e tij Shën Evthimit (22 Mars), që të pohonte besimin e tij tek Krishti gjatë martirizimit dhe shprehu gëzim dhe mburrje kur mësoi për martirizimin e Shën Agathangjelit (19 Prill), duke treguar në këtë mënyrë se ai e konsideronte vdekjen nga dashuria për Krishtit si qëllimin suprem dhe kurorën e jetës së krishterë.
U rithirr në Patriarkanë në vitin 1806. U pranua me entuziazëm nga të krishterët e Qytetit dhe ndërmori sërish punën për ruajtjen dhe rivendosjen e moralit kishtar. Megjithatë, në vitin 1808, një grusht shteti solli Sulltan Mahmutin II në pushtet, duke e detyruar Grigorin të jepte dorëheqjen dhe të tërhiqej në ishullin e Princit dhe më pas të kthehej në Malin e Shenjtë. Aty vijoi që të studionte Etërit e Shenjtë, vazhdoi përpjekjet asketike dhe interesohej pandërprerë për gjendjen e Kishës dhe të popullit.
Në vitin 1818 e bëjnë anëtar të Filiki Eterisë (Shoqëria e Miqëve), të cilët parapërgatitnin Revolucionin Grek, duke u përpjekur për të mbledhur dhe bashkërenduar forcat e shpërndara të helenizmit. Grigori e mbështeti me entuziazëm kauzën e lirisë, por duke gjykuar se koha ende nuk ishte pjekur, i këshilloi të bënin durim.
Pak më vonë ai u rithirr për të tretën herë në fronin ekumenik dhe u aktivizua përsëri, duke nxitur ngritjen e shkollave ku fëmijët do të mund të merrnin arsimin grek. Ai organizoi edhe një fond bamirësie, i cili me paratë e grekëve të pasur ndihmonte të krishterët e vuajtur.
Kur më 1 Shkurt 1821 shpërtheu kryengritja greke nga princi Aleksandër Ipsilanti në Danub, si një lëvizje krejtësisht e papërgatitur, menjëherë pasuan hakmarrje të tmerrshme dhe të përgjakshme në Kostandinopojë dhe në të gjitha qytetet kryesore të Perandorisë Osmane. Osmanët therën të gjithë personalitetet greke që kishin lidhje me lëvizjen dhe arrestuan katër peshkopë.
Sulltani urdhëroi të mblidheshin në lagjen Fanar të gjitha familjet e shquara greke të qytetit të Kostandinopojë dhe patriarku për të parandaluar masakrën, garantoi nënshtrimin e tyre ndaj Portës së Lartë. Kjo garanci nuk e kënaqi sulltanin, i cili e detyroi Shën Grigorin të firmoste aforizmin e prijësit të kryengritjes Aleksandër Ipsilantit dhe shokëve të tij.
Më 31 Mars u raportua kryengritja e përgjithshme në Peloponez dhe më vonë, të Hënën e Madhe, Konstantin Muruziz, që përfaqësonte komunitetin grek në Portën e Lartë, iu pre koka bashkë me grekët e tjerë të shquar.
Duke parashikuar se cili do të ishte fati i tij dhe duke refuzuar ofertat që i bënin për t’u larguar që të shpëtonte kokën, patriarku thoshte: “Si do të braktis grigjën time? Jam Patriark për të shpëtuar popullin tim dhe ja ta dorëzoj atë tek shpatat e jeniçerëve. Vdekja ime do të ketë më shumë dobi sesa jeta ime, sepse do t’i bëjë grekët që të luftojnë me atë dëshpërim, që shpesh sjell fitoren. Jo, jo, nuk do të bëhem qesharak për botën, që të më tregojnë me gisht dhe të thonë: Ja patriarku vrasës!”
Të Dielën e Pashkës, më 10 Prill, Shën Grigori celebroi me qetësi dhe madhështi Liturgjinë e Ngjalljes së Krishtit, e cila ndërpritej vetëm nga të qarat e tij. Në fund të Liturgjisë, i dhanë lajmin e revolucionit në Peloponez. Atëherë u përgjigj: “Tani e përherë le të bëhet vullneti i Zotit!”
Disa orë më vonë, përfaqësuesit e sulltanit njoftuan rrëzim e tij nga froni patriarkal dhe menjëherë jeniçerët e tërhoqën zvarrë brutalisht për në burg. Ai u mor në pyetje dhe u torturua tmerrësisht, gjatë së cilave qëndronte i heshtur në mënyrë madhështore. Ndërpreu heshtjen e tij vetëm kur i kërkuan që të mohonte besimin e tij, duke thënë: “Patriakru i të krishterëve, si i kreshter vdes!”
Pak më vonë, sapo u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë pasuesi i tij, e varën në portën e Patriarkanës, e cila që prej atëherë qëndron e mbyllur në kujtim të aktit të neveritshëm të varjes. Në momentet e fundit të jetës, Shën Grigori ngriti duart drejt qiellit, bekoi të krishterët dhe tha: “Zot Jisu Krisht, prano shpirtin tim!” Dhe ndërsa turqit dhe hebrenjtë godisnin me gurë trupin e patriarkut, pashai që ndërmori ekzekutimin ishte ulur para trupit dhe pinte duhan.
Tre ditë qëndroi lipsani i nderuar i varur aty me një tabelë rreth qafës, e cila shkruante aktakuzën. Përfundimisht hebrenjtë e blenë trupin e tij për 800 grosh, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë me britma triumfuese dhe më pas e hodhën në Bosfor. Pavarësisht gurit të rëndë që ishte lidhur me të, trupi lundroi dhe u mor nga një anije greke me flamur rus dhe u transportua në Odesa. Për shumë ditë populli ju fal lipsanit të nderuar, tek i cili nuk dukej asnjë shenjë prishjeje.
Në vitin 1871, gjatë 50-vjetorit të Revolucionit Grek, lipsani i nderuar i patriarkut të shenjtë u transferua në Athinë dhe u vendos me nderime të mëdha në kishën Mitropolitane. Më 10 Prill 1921, njihet si Shenjtor nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë.