Shën Dhimitri nga Peloponezi : 14 Prill
Shën Dhimitri nga Peloponezi lindi në fshatin
Ligudhista të Arkadisë dhe në një moshë të vogël shkoi bashkë me vëllain e tij
në Tripoli, ku punuan bashkë me disa ndërtues. Por, për arsye se ata e
torturuan, u largua nga grupi i tyre dhe shkoi në shtëpinë e një berberi turk,
i cili ia arriti që ta islamizonte Dhimitrin, duke e quajtur Mehmet.
Më pas Mehmeti braktisi Tripolin, u pendua për apostazinë e tij dhe shkoi në Argos. Nga Argosi, për siguri më të madhe shkoi në Smirni dhe prej andej në Manastirin e Pararendësit pranë Kidhonisë, ku gjeti një atë shpirtëror besëmir, u rrëfye dhe kërkoi këshillat e tij. Me nxitjen e atit të tij shpirtëror Dhimitri shkoi në Kio, ku qëndroi për një kohë të gjatë pranë një ati tjetër shpirtëror të famshëm, me lutje dhe pendim.
U parapërgatit për martirizim dhe shkoi në Argos, ku qëndroi i fshehur nga Prifti Andon Saqellari dhe prej andej arriti në Tripoli. U paraqit para qeveritarit turk, deklaroi se beson tek Krishti dhe se është gati që të derdhë gjakun e tij për Të.
Torturat që e ndoqën ishin të frikshme, por Dhimitri mbeti i patundur në besimin e tij dhe kështu më 14 Prill 1803 atij i’u pre koka në Tripoli.
Lipsani i tij i Shenjtë u ruajt prej të krishterëve në Kishën e Manastirit të Shën Nikolla Varson. Në pazarin qëndror të Tripolit, një kishë e vogël është ndërtuar për nder të këtij Martiri të Ri.
Shënim: Shën Nikodhim Agjioriti përmend si datë kujtimi të Shenjtit 13 Prillin.