Shën Mihail Mavrudhi : 28 Prill
Shën Mihail Mavrudhi ishte me origjinë nga fshati Granicë i Agrafës. Prindërit e tij ishin besëmiri Dhimitër dhe e vyrtytshmja Statira, të cilët e rritën Mihailin “me edukim dhe këshillim më Zotin”. Pas vdekjes së të atit të tij shkoi në Selanik, ku ushtroi profesionin e bukëpjekësit, por paratë e tij i ndante me vëllezërit e tij të varfër dhe të pafuqishëm.
Kur u përpoq që të katekizonte një djalosh mysliman në besimin e krishter, ai e denoncoi dhe Mihailin me dhunë e çuan tek gjykata. Gjatë marrjes në pyetje, ku pyetjeve të kadiut iu përgjigj me maturi dhe njohuri të thella theologjike, ai u përpoq t'i konvertonte edhe këta kadinj. Me ndërgjegje dhe guxim i theksoi kadiut: “Mos humb kohë, por më dorëzo tek Perëndia sa më parë, sepse dua që të bëhem sakrificë e Zotit tim, të piqem si bukë dhe të vendosem në Tryezën e Trinisë së Shenjtë dhe të ofrohem si aromë temjami për Të”. Përfundimisht u dënua me vdekje dhe e dogjën të gjallë në Selanik më 21 Mars 1547, ditën e Enjte, ora 9, në oborrin e Kishës së Shenjtë të Ipapandisë së Shpëtimtarit.
Martirizimi i Shenjtit, ndër të tjera, tregohet edhe në Kodikun nr.727 të shekullit 18 në Manastirin e Ksenofondës në Malin e Shenjtë dhe në Kodikun nr. 2142(129) të shekullit 18 të Manastirit të Esfigmenit. Uratorja e Madhe si datë kujtimi të tij, tregon 10 Mars 1544.
Shën Mihail Mavrudhi kremtohet të Enjten e Javës së Ndritshme.