Theofani Martiri i ri : 8 Qeshor
Ky martir i lavdishëm lindi në fshatin Zapani, në zonën e Kallamatës së Peloponezit. Në Pagëzimin e shenjtë mori emrin Theodhor. Prindërit e tij e dërguan tek një rrobaqepës në Kostandinopojë që të mësonte pranë tij këtë profesion. Por për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm të pronarit të tij u largua.
U gjend në qendër të qytetit, në panairin që ishte organizuar me rastin e rrethprerjes së djalit të sulltanit, dhe aty ai mohoi besimin e tij. Hyri në trupën e fëmijëve që parapërgatiteshin për t’u bërë jeniçerë në pallat dhe për 6 vite mori formimin e plotë në shkronjat turke dhe arabe.
Duke iu afruar çështjeve teologjike gjatë studimeve, ai filloi të ndjejë pendim në ndërgjegjen e tij, deri në ditën kur nuk duroi më dhe thirri Trininë e Shenjtë dhe emrin e Virgjëreshës dhe u arratis.
Kaloi nga vende të ndryshme duke kërkuar njeriun e duhur që t’i tregonte rrugën e shpëtimit të tij dhe më në fund e gjeti atë në personin e mitropolitit të ditur të Filadelfias, Gabrielit, i cili jetonte në Venecia.
Ai e rriti dhe e forcoi në besim dhe e qethi murg me emrin Theofan, dhe më pas i shpjegoi se mënyra që të çlirohej plotësisht nga mëkati i tij ishte që të shkonte në vendin e apostazisë dhe të pohonte publikisht transformimin e tij.
I mbushur me zell hyjnor, Theofani shkoi në Kostandinopojë, ku disa njerëz e njohën, por ai nuk mundi që të gjente momentin e përshtatshëm për pohimin publik.
Kështu shkoi në Athinë dhe u paraqit para kadiut, pasi u lut për tre ditë i larë nga lotët dhe kërkoi që të dënohej për besimin që kishte humbur nga një devijim i rinisë. Por për zhgënjimin e tij të madh, gjykatësi e la të lirë atë me dashamirësi.
Pasi kaloi edhe nëpër vende të tjera, shkoi dhe u paraqit para kadiut të Larisës, i njohur për ashpërsinë dhe rreptësinë e tij, por ai urdhëroi që ta lironin pasi t’i jepnin 600 goditje me kamxhik. Shenjti i vuajti torturat me kënaqësi, por pa gjetur kënaqësinë që ai dëshironte.
Shkon në Malin e Shenjtë, ku murgjit e shenjtë e inkurajuan për planin e tij për të shkuar në Kostandinopojë. Pasi shkoi në Kostandinopojë, qarkullonte publikisht, duke ju drejtuar befas atyre që i njihte. Pasi u sprovua nga ati i tij shpirtëror Evthimi, u parapërgatit për luftën e fundit me agripni, lutje dhe kungim të Mistreve të Shenjta, dhe në vijim u shfaq në gjykatën e sulltanit, ku gjendeshin një sërë kadinjsh dhe nënpunës të tjerë të oborrit osman.
Me zë të lartë dhe të qartë, ai fillimisht lavdëroi sundimtarin dhe më pas rrëfeu konvertimin e tij, duke kërkuar që të ndëshkohej. I indinjuar nga guximi i tij, kadiu urdhëroi që ta rrihnin shtatëqind herë me kamxhik dhe ta hidhnin në burg, ku vuajti keqtrajtimin e vazhdueshëm të gardianëve.
Në mënyrë tallëse gardianët i kërkuan shenjtit që të bënte ndonjë mrekulli për hir të tyre, shenjti u lut për tre orë i palëvizur si një shtyllë, dhe sapo tha Amin, një tërmet tundi burgun nga themelet dhe një dritë më e ndritshme se dielli largoi errësisën duke zbuluar shenjtorin të zgjidhur nga prangat e tij, me duart e tij të ngritura drejt qiellit dhe fytyrën që i ngjante fytyrës së një engjëlli.
Të frikësuar, rojet e tij u gjunjëzuan para tij dhe i kërkuan t'i falte, disa prej të cilëve madje u konvertuan në krishtërim.
Kur lajmi arriti te gjyqtarët suprem, komandanti e thirri shenjtorin që të paraqitej sërish, duke u përpjekur ta bindte me premtime. Megjithatë, Theofani i hodhi poshtë fjalët e tij, dhe u përgjigj me zell të frymëzuar nga Shpirti e Shenjtë. Kështu ai u dënua me një "vdekje të hidhur".
Menjëherë xhelatët e arrestuan, i prenë dy rripa lëkure në formë kryqi nga trupi i tij, nga shpina deri te gjoksi dhe duke e vënë mbi një mushkë, me duart e gozhduara në shalë, dhe e qarkulluan në qytet. Kur arritën në vendin e ekzekutimit, e varën të zhveshur në çengele, ndërsa populli e qëllonte me gurë dhe e rrihte.
Megjithatë, Shën Theofani, mbeti i patundur dhe falenderoi Perëndinë që e gjykoi të denjë që të arrinte në qëllimin e tij të dëshiruar. I kërkoi vetëm si nder që të shfaqej me një mrekulli për të konvertuar këta të pabesë që e torturonin.
Sapo u përfundoi lutjen e tij, një zog, i bardhë si pëllumb, erdhi dhe qëndroi mbi kokën e martirit dhe e mbushi me një ngazëllim hyjnor që largoi prej tij çdo dhimbje. Atëherë disa njerëz që gjendeshin aty thanë: “Krishti që ai predikon është Perëndi i vërtetë”!
Pas tre orësh, gjatë mbrëmjes, shenjti tha: “Kam etje”! Njëri nga të pranishmit ju përgjigj: “Bëhu si ne dhe do të të jep të pish”. Por Theofani u përgjigj: “Kam etje për shpëtimin tuaj. Sa për mua, Krishti më jep ujë të përjetshëm”.
Gjatë natës ranë vetëtima të frikshme dhe një dritë qiellore përfshiu trupin e martirit, duke shkaktuar frikë në burg. Të shumtë ishin ata që pohuan Krishtin, duke shkaktuar kështu edhe urrejtjen e turqve, të cilët duke nxituar në port dhe duke marrë prej aty mjetet me majë, erdhën dhe goditën me to fytyrën dhe trupin e shenjtorit. Kur në fund i nxorrën sytë, Shën Theofani dorëzoi shpirtin e tij tek Krishti (8 Qershor 1588).
Disa të krishterë besëmirë blenë trupin e tij dhe mblodhën tokën që ishte vaditur me gjakun e tij, dhe me anën e tyre u bënë shumë mrekulli dhe shërime. Sa për torturuesit e tij, disa prej tyre u verbuan, disa të tjerë u mbytën në det, të tjerëve ju thanë duart, por ata që u penduan dhe thirrën emrin e shenjtit u shëruan.