Oshënar Kiril Mrekullibërësi : 15 Qeshor
Oshënar Kirili lindi në zonën Galic të Kostromës prej prindërish besëmirë dhe Perëndidashës. Tradita tregon se thirrjen hyjnore e kishte që në bark të nënës. Që në moshë të vogël u dha pas asketizimit dhe lutjes dhe pranoi thirrjen nga Perëndia përmes një vegimi hyjnor. Kështu braktisi shtëpinë atërore, për t’u vendosur në manastirin e Shpellave të Pskofit. Më pas, kur prindërit e Oshënar Kirilit u informuan për vendimin e birit të tyre, ndoqën edhe ata rrugën murgjërore dhe u bënë murgj. Fillimisht u bë murgeshë nëna e tij me emrin Eleni dhe në vijim babai i tij me emrin Varsanufio, drejtimin shpirtëror të të cilit e mori përsipër igumeni i birit të tij Kirili.
Si murg, impresionoi igumenin Oshënar Kornilin dhe vëllezërit e tjerë murgj, me vyrtytet e tij, me bindjen, me studimin e Shkrimeve të Shenjta, me asketizimin e rreptë dhe me lutje. Pas fjetjes së atit të tij kërkoi bekimin e igumenit të manastirit, që të shkonte dhe të asketizonte në një vend të shkretë. Pas jetës eremite për rreth 20 vite nëpër vende të ndryshme asketike të tokës ruse, Oshënari u vendos në periferi të Moskës, Novgorodit dhe Pskofit, ku jetoi me lutje dhe kreshmë.
Pas disa shenjave hyjnore të njëpasnjëshme dhe vegimeve të Hyjlindëses, ndërtoi një manastir dhe ngriti dy kisha në Liqenin e Bardhë, ndërsa jeta e tij oshënare tërhoqi vëllezër të rinj rreth tij. Perëndia i Shenjtë e pajisi me dhuntinë e mrekullibërjes dhe dallueshmërisë.
Oshënar Kirili fjeti me paqe, pasi parandjeu fundin e tij në vitin 1532. Kisha e kremton kujtimin e tij më 15 Qershor dhe më 7 Nëntor.