Oshënar Piori : 17 Qeshor
Oshënar Piori ishte asket egjiptian, i cili u largua nga shtëpia e tij për në shkretëtirë dhe mori vendimin që të mos i shikonte kurrë prindërit dhe të afërmit e tij. Pas shumë vitesh motra e tij, tashmë ishte bërë jerondeshë, mësoi se Oshënari jetonte dhe e ftoi që ta shikonte me ndërmjetësimin e etërve të Skitit. Atëherë ava Piori, shkoi në shtëpinë e saj, qëndroi tek porta, pa hyrë brenda në shtëpi dhe me sytë mbyllur, bashkëbisedoi me motrën e tij, dhe pa parë aspak, u largua përsëri për në shkretëtirë.
Gjithashtu në librin “Parajsa e Etërve”, rrëfehet se një herë u bë një mbledhje në Skit, që Etërit të gjykonin një prej vëllezërve të tyre, i cili kishte kryer një shkelje. Dhe ndërsa Etërit diskutonin se çfarë do të bënin, Oshënar Piori doli jashtë mbushi një thes me rërë dhe e vari atë në kurrizin e tij. Kur Etërit e pyetën se çfarë është ajo që po bën, Oshënari u përgjigj se thesi që ka shumë rërë simbolizon mëkatet e tij, të cilat i ka nga mbrapa dhe nuk mund t’i shikojë që të qajë për to. Qesja me pak rërë që ka varur përpara tij, janë mëkatet e pakta të vëllait të tij, të cilat i ka përpara dhe i shikon në mënyrë që të gjykojë vëllain e tij. Por, duhej që përpara të kishte mëkatet e tij, në mënyrë që t’i shikonte dhe t’i lutej Perëndisë që ta falte. Kur Etërit i dëgjuan këto fjalë, u larguan duke thënë se me të vërtetë ajo është rruga e shpëtimit. Oshënar Piori ndërroi jetë me paqe.