Oshënar Leont Athoniti dhe Mirovliti : 18 Qeshor
Jeta e oshënar Leontit ruhet në dorëshkrimin 677,
faqe 1-36 të Manastirit të Hirshëm të Shën Dhionisit në Malin e Shenjtë. Ky
dorëshkrim është shkruar rreth fundit të shekullit 18 dhe është përkthim i
tekstit të mëparshëm, i cili ishte shkruar nga fillimet e shekullit 17.
Lindi në vitin 1520 në Argos të Peloponezit, sipas Shën Nikodhim Agjioritit dhe traditës së etërve të Manastirit të Hirshëm të Dhionisit. Për prindërit e tij dhe për fëmijërinë e tij nuk dimë asgjë. Por mund të konkludojmë se oshënari kishte prindër besëmirë, pasi në moshën 17 vjeçare, në vitin 1537 shkoi që të murgjëronte në një manastir të vogël të Agrolidës, duke zgjedhur jetën murgjërore.
Oshënari, pasi braktisi prindërit e tij, të afërmit dhe miqtë, u dha pas kreshmës, lutjeve dhe ushtrimit të trupit, u dha pas studimit të Shkrimeve të Shenjta dhe në punë të pëlqyeshme nga Perëndia.
Në vitin 1537 kur turqit nisën sulmet kundër Nafplios, Leonti profetizoi se kështjella do të binte në duart e agarinëve, diçka që edhe ndodhi në vitin 1540. Pas pushtimit të Nafplios nga turqit, Leonti shkoi në Malin e Shenjtë, të cilin e deshi shumë dhe kërkoi që të murgjëronte në Manastirin e Hirshëm të Shën Dhionisit. Që ta pranonin ju vendosën dy kushte: 1) Që të mos braktiste kurrë manastirin dhe 2) që të merrte përsipër çdo punë që do t’i caktonin.
Më pas ai banoi në kinovion e shenjtë të Manastirit të Dhionisit dhe për 60 vite të tëra nuk doli nga Manastiri. Kështu u denjësua që të fitonte dhuntinë e parashikimit dhe profecisë. Pas vdekjes së tij, lipsani i tij i shenjtë buronte Miro, siç tregon edhe Malaksi i shenjtë, protopapa i Nafplios. Oshënar Leonti ndërroi jetë në vitin 1605, në moshën 85 vjeçare.