Shën Kristo Kopshtari : 12 Shkurt
Martiri i ri Kristo ishte me origjinë nga Shqipëria. Për këtë arsye njihet edhe me mbiemrin “Arvaniti”. Jeta e tij deri në moshën 40 vjeçare është e panjohur. Në një moshë të pjekur u largua nga fshati i tij dhe shkoi në Kostandinopojë, ku punonte si koshptar. Një ditë shkoi në treg që të shiste mollë. Aty u gjend edhe një myslyman, i cili dëshironte që të blinte mollë. Pasi nuk ranë dakort për çmimin, u grindën me fjalë dhe Shenjti u largua pa ja shitur mollët myslymanit. Për t’u hakmarrë myslymani shpifi tek kadiu sikur Kristo dikur kishte premtuar se do të bëhej myslyman por tani ngurron dhe e mohon këtë gjë.
Shenjti kapet dhe çohet në gjykatë, ku pohon se është i krishter dhe se nuk do ta mohojë Orthodhoksinë sado tortura që t’i bëjnë. Kadiu i egërsuar nga këmbëngulja e Shenjtit në besimin orthodhoks urdhëroi që ta kamxhikonin për shumë kohë. Trupi i martirit u mbush me plagë. Pas kamxhikimeve e mbyllën në burg dhe i lidhën këmbët në një dru torturues.
Dhimbja ishte e madhe. Por më i madh ishte besimi i shenjtit, i cili i konsideronte torturat si një nder të veçantë nga Perëndia dhe për këtë arsye papushim lavdëronte emrin e ëmbël të Krishtit.
Brenda në burg ishte edhe murgu i njohur Qesar Dapontes nga Skopelo, që shkroi edhe për martirizimin e Shenjtit. Dapontja duke parë gjendjen e Martirit u përpoq fshehtazi dhe zgjidhi këmbët e shenjtit nga druri dhe i solli ushqim që të merrte fuqi. Por Martiri e refuzoi duke thënë se preferon që për Krishtin të vdesë i uritur dhe i etur.
Kadiu, pasi u bind se Shenjti as nuk e diskutonte ndryshimin e besimit, urdhëroi që t’i prisnin kokën. Ai i dha Dapontes gurin ku mprehte thikat, i cili varej në rripin e tij, duke i kërkuar ta shiste dhe, me paratë që do të merrte, të bënte disa Liturgji në kujtim të tij. Më 12 Shkurt 1748 Kristos së lumur i’u pre koka dhe shpirti i tij u ngjit tek Krishti i ëmbël, që Shenjti kaq shumë e deshi.