Shën Mihail Mavroidhis nga Adrianopoja : 17 Shkurt
Neomartiri i Shenjtë Mihail ishte me origjinë nga
Adrianopoja dhe ishte ndër banorët e saj të shquar dhe të pasur. U denoncua
padrejtësisht tek kadiu i Ardianopojës prej disa fanatikëve myslimanë, sikur ai
kishte përbuzur emrin e Perëndisë së tyre. Kadiu, që njihte ndershmërinë e
Shenjtit, e liroi atë, por shpifësit e kërcënuan kadiun se do ta paditnin tek
Sulltani. Kadiu u tremb dhe urdhëroi që Shenjtin ta burgosnin. Paralelisht
njoftoi edhe Sulltanin për ngjarjen që kishte ndodhur dhe priti urdhërat e tij.
Urdhëri ishte i qartë: ose të mohonte besimin e tij atëror ose të digjej i
gjallë. Megjithë premtimet dhe kërcënimet Martiri qëndroi i patundur në besimin
e tij tek Krishti, për këtë arsye atij i’u pre koka në vitin 1490.
Shën Nikodhim Agjioriti e quan Martirin Mavrudhi dhe e shënon kujtimin e tij më 10 Mars, ndërsa Kodiku Jeshil e quan atë Mavroidhi dhe e shënon kujtimin e tij më 17Shkurt. Sofron Estrartiadhis thekson se tjetër është Neomartiri i Shenjtë Mihail nga Adrianopoja dhe tjetër është Neomartiri i Shenjtë Mihail Mavrudhi, që ishte me origjinë nga Granica e Evritanisë dhe kremtohet më 21 Mars. Hulumtimet e fundit sugjerojnë se nuk bëhet fjalë për të njëjtin person, por për dy shenjtorë të veçantë.