Oshënar Agapiti, Omologjet dhe Çudibërës, Episkop i Sinaut
Oshënar Agapiti ishte me origjinë nga Kapadhokia dhe
lindi prej prindërish besëmirë dhe Perëndidashës. Jetoi gjatë kohës së
perandorit Dioklecian (284-305) dhe Maksimian (285-305). Në moshë të re shkoi
tek manastiri në Sinao dhe u qeth murg. Igumeni
e donte shumë, për shkak të jetës së tij të vyrtytshme dhe i mësoi edhe
shkronjat e shenjta. Mori prej Perëndisë edhe dhuntinë e mrekullive. Me anë të
lutjes vrau një dragua të madh, që shfaqej pranë manastirit dhe zhdukte njerëz
dhe kafshë.
Më pas, në kohën e perandorit Licin (308-323), Oshënar Agapiti u rekrutua në ushtri. Aty pa sesi torturoheshin për besimin e tyre tek Krishti Martirët bukurmundës Viktori, Dhorotheu, Theodhuli, Agripa dhe shumë të tjerë. Menjëherë donte që edhe ai të merrte pjesë në martirizimin e tyre. Dhe ndërsa ata mbaruan për Krishtin me shpatë, ai shpëtoi shëndoshë e mirë me ekonominë e Perëndisë, edhe pse e goditën me shtizë, që të drejtonte shumë të tjerë në shpëtim.
Pas shërbimit ushtarak dhe kur tashmë perandor ishte Kostandini i Madh (324-337), Shën Agapiti u dha pas studimit të Ungjillit të Shenjtë dhe Episkopi i qytetit të Sinaut e hierotonisi Presviter. Pas fjetjes së Episkopit të tij dhe pas vendimit të përbashkët të klerit dhe popullit, u zgjodh Episkop.
Oshënar Agapiti pasi luftoi në mënyrë të pëlqyeshme për Perëndinë, fjeti me paqe.