Shën Nikita Arvaniti, Martiri i ri
Hieromartiri i shenjtë Nikita lindi mes viteve 1760-1770 dhe ishte me origjinë nga Epiri ose Shqipëria e sotme. Disa autorë të tjerë mendojnë se Shenjti ishte me origjinë nga Trapezunda e Pondit, prej zonës së Lazon. Ky mendim mbështetet kryesisht në Shërbesën e Ajananitëve, që është shkruar rreth viteve 1840-1850 prej murgut Jakov të Skitit të Ri. Në këtë shërbesë tregohet se Shenjti ishte me origjinë nga zona Lazon e Pondit, por edhe në arkën e lipsaneve të Shenjtit shkruhet: “Të Hieromartirit të Shenjtë, Nikita të Lazos”. Për prindërit dhe për të afërmit e Shenjtit nuk dimë ndonjë gjë të rëndësishme. Dimë vetëm se ishin të krishterë të fshehtë (kriptokristianë).
Nga teksti i martirizimit të tij nuk na bëhet e ditur nëse në fillim të jetës mohoi Krishtin dhe u bë myslyman në Seres. Megjithatë flitet për rrethprerjen që ka pësuar shenjtori.
Shenjti u bë murg dhe jetoi në Skitin e Shën Anës në Malin e Shenjtë. Aty filloi përpjekjet shpirtërore duke jetuar me kreshmë, agripni dhe lutje. Më pas u hierotonis dhjakon dhe presviter në manastirin e Shën Pandeleimonit, të quajtur manastir rus. I pushtuar prej dëshirës për martirizim lëvizte rreth zonave të Seresit dhe të Dramës dhe predikonte para myslimanëve Krishtin si Perëndi të vërtetë. Vendimi i tij ishte që të derdhte gjakun e tij për dashurinë e Jisuit të ëmbël.
Shën Nikita u rrëfye tek hieromonaku Kostandin i metoqit të së Tërëshenjtës së Iliokalis dhe më pas mori edhe Misteret e Shenjta. Pasi kaloi prej kishës së Shën Gjergjit, shkoi më pas në xhaminë e Ahmet Pashës. Në atë xhami qëndronte një mësues i myslimanëve bashkë me disa nxënës së tij. Njëri nga këta nxënës ishte i çalë në të dyja këmbët. Shën Nikita i tha se do ta shëronte po të besonte tek Krishti.
Myslimani i ri i tregoi menjëherë mësuesit të tij fjalën që i tha Shenjti. Kështu Shenjti arrestohet dhe sillet tek vojvoda i Seresit, i cili urdhëroi që ta futnin në burg. Gjatë kohës së burgosjes së tij, Shenjti vuajti shumë tortura të frikshme. Gjatë mbrëmjes së të Shtunës së Madhe të vitit 1808, Isuf beu urdhëroi që të ekzekutohej vendimi për vdekjen e Shën Nikitës, të cilin e varën në vendin e quajtur Xeriah Pazar. Pranë vendit të martirizimit të tij ishte edhe Kisha e Kryeëngjëllit Mihail. Natën e martirizimit dhjaku i kishës doli nga qelia e tij dhe pa një dritë të madhe që të ndriçonte në të gjithë zonën rrotull. Lipsani i Martirit qëndroi i varur për tre ditë. Të Martën e Ndritshme, në mbrëmje, u dha tek të krishterët leja që ta merrnin lipsanin dhe ta varrosnin në kishën e Shën Nikollës në Seres.
Shenjti, në vendin e martirizimit të tij, në Seres, nderohet si mbrojtës i qytetit. Kremtohet në mënyrë panigjirike edhe të Dielën e Thomait.