Shën Filothei e Athinës
Shën Filothei lindi në vitin 1522 në Athinë. Prindërit e saj quheshin Angjelos dhe Sirija Benizelu. Nëna e saj nuk mund të lindte fëmijë, por në mënyrë të mrekullueshme arriti që të lindte Shenjtoren.
Prindërit e saj u munduan që t’i jepnin çdo formim të mundshëm për kohën. Rigula (emri i Shenjtores para se të bëhej murgeshë) po rritej dhe po zbukurohej si në shpirt ashtu edhe në trup.
Në moshën 14 vjeçare, prindërit e saj e martuan, pa dëshirën e saj, me një prej arkondëve të Athinës. Por kjo martesë nuk ishte e mirë. Pas tre vitesh burri i saj vdiq. Shenjtorja ishte vetëm 17 vjeç. Prindërit e saj i bënë presion që ajo të martohej përsëri, por tashmë ajo e kishte marrë vendimin e saj, murgjërinë. Pas 10 vitesh vdesin edhe prindërit e saj dhe Rigula i përkushtohet Perëndisë dhe merr emrin Filothei.
Ajo ndërton një manastir grash pas një vizioni, me disa qeli, të cilit i dha emrin e Shën Andresë për ta nderuar atë.
Shembullin e saj, të përkushtimit tek Krishti e ndoqën edhe të reja të tjera. Për pak kohë, manastiri arriti të kishte 200 motra. Manastiri i Oshënare Filotheit bëhet një liman i vërtetë për të uriturit, jetimët dhe pleqtë.
Oshënarja, megjithë kundërshtimet e osmanëve, ndërton disa qendra të ndryshme filantropike, spitale dhe jetimore. Vepra e saj, kombëtare dhe fetare, i tejkaloi kufijtë e Athinës dhe u bë e famshme në të gjithë Greqinë.
Por e gjithë veprimtaria e Shën Filotheit zemëroi osmanët. Në një moment ata e kapin atë, por në momentin e fundit disa të krishterë arritën që të bindin sundimtarin osman në mënyra të ndryshme për të liruar Shenjtoren, e cila u la e lirë.
E lirë, Shën Filothei u rikthye në manastirin e saj. Ajo u kujdes jo vetëm për shpëtimin e shpirtit të saj, por edhe të të tjerëve, mëkatarët i përmirësoi moralisht dhe i drejtoi në pendim. Dhe përfundimisht për këtë qëllim shkoi edhe në ishullin Xhia (Kea), ku kishte ndërtuar një metoq, që të dërgonte aty ato murgesha, të cilat për arsye të ndryshme kishin frikë të qëndronin në Athinë. Në Xhia qëndroi për një kohë të gjatë dhe katekizoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia motrat në ruajtjen e saktë të rregullave të jetës murgjërore. Sapo mbaroi punën aty, u rikthye në Athinë. Bëri edhe shumë të tjera për vendin dhe banorët e Athinës.
Një natë, më 2 Tetor 1588, osmanët shkuan në vendin e quajtur Patisia. Shenjtorja bashkë me motrat e tjera bënë një agripni për Shën Dhionis Aeropagjitin. Ditën tjetër kremtohej kujtimi i tij. Pesë prej osmanëve u ngjitën nga muri i jashtëm dhe hynë brenda në oborr. Hynë në kishë, ku kapën Shenjtorë dhe e fshikulluan dhe e lanë gjysmë të vdekur jashtë manastirit të saj.
Jashtë kishës, në të djathtë të hyrjes së saj, ruhet kollona, ku Filothei u lidh dhe u fshikullua. Murgeshat e tjera ishin në vendin e fshehtë Kalogreza. Aty Filothei e plagosur ndërron jetë më 19 Shkurt 1589.
20 ditë pas fjetjes së Shenjtores, varri i saj lëshonte erë të mirë. Madje edhe pas një viti kur u bë transferimi, lipsani i saj i shenjtë u gjend i paprishur. Lipsani i saj i shenjtë gjendet sot në Kishën Metropolitane të Athinës.