Shën Gjergji, Episkop i Amastridhos : 21 Shkurt
Shën Gjergji ishte me origjinë nga Kromni e Amastridhos dhe lindi prej prindërve besëmirë, Theodhorit dhe Megjethosë.
Pas studimeve të tij, shkoi në malin e Sirikut dhe aty pasi gjeti një Jerond asket, mësoi prej tij rregullat e jetës murgjërore dhe mori prej tij skimën ëngjëllore. Pas vdekjes së Jerondit, zbret në qytetin Vonisa të Akarnanisë dhe fillon aty asketizimin. Kur pas vdekjes së episkopit të Amastridhos, froni i tij mbeti vakant, Kisha duke parë vyrtytet dhe dhuntitë e Shenjtit, e vendos bari të Kishës së Amastridhos, të cilën e baritoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia. Hierotonia e Shenjtit në gradën kryepriftërore u bë në Kostandinopojë.
Shenjti i shërbeu kishës, u kujdes për klerin e shenjtë dhe u interesua për mbrojtjen e jetimëve dhe vejushave, si edhe për ushqimin dhe mbajtjen e të varfërve. Perëndia, duke parë jetën oshënare të Shenjtit, e denjësoi me dhuntinë e bërjes së mrekullive.
Shën Gjergji fjeti me paqe në vitin 805. Kujtimi i tij kremtohet nga Kisha edhe më 25 Tetor.