Shën Llazari nga Tripoli i Peloponezit, Hieromartir i Ri : 23 Shkurt
Burimi i parë i shkruar që kemi për martirizimin e Hieromartirit të Ri dhe të Shenjtë Llazar është ai i kodikut nr. 797 i Manastirit të Hirshëm të Vatopedhit, i cili përmban shërbesën dhe sinaksarin e Shenjtit.
Shën Llazari, ishte prift dhe atdheu i tij i veçantë ishte Tripoli. Prindërit e tij besëmirë, Nikolla dhe Aleksandra, e rritën me këshilla dhe edukim më Zotin, duke e çuar atë drejt masave të përsosura të virtytit. Kur u dorëzua prift, mësonte ata që jetonin me devotshmëri, ndërsa të tjerët i këshillonte që të mos padrejtësonin të varfërit. Një person që jetonte në të njëjtin qytet në Tripoli, i quajtur Seletos, përditë kryente padrejtësi. Këtë Seletos, prifti Llazar vazhdimisht e këshillonte që të mos i binte në qafë njeriu. Kur Seleti u dënua me vdekje për padrejtësitë e tij, mohoi Krishtin që të shpëtonte.
Atëherë, duke u bërë mysliman dhe duke i shpëtuar rrezikut, bashkë myslimanë të tjerë dëshironin që të detyronin edhe Shën Llazarin që të bëhej edhe ai mysliman. Shpifën shumë herë kundër tij dhe e çuan në gjykatë duke i thënë se nëse do të ndryshonte besimin do t’i jepnin shumë të mira, përndryshe do ta vrisnin.
Shenjti e refuzoi këtë ofertë të të pabesëve, të cilët vendosën që Shenjti të torturohej me shumë tortura, të njëjta për shumë neomartirë, si fshikullimet, shtrembërim gjymtyrësh, etj. Përfundimisht, martirin e hodhën brenda në zjarr, ku Shenjti dha edhe shpirtin e tij të lumur në lutje më 23 Shkurt 1605.
Me rëndësi të veçantë është fakti se nëna e tij e mbështeste duke thënë që ta duronte dënimin e zjarrit, në mënyrë që të trashëgonte Mbretërinë e përjetëshme dhe të gëzohet bashkë me martirët e tjerë, ëngjëjtë, kryeëngjëjtë, profetët dhe shenjtorët e tjerë. Në këtë mënyrë mbaroi Hieromartiri i ri dhe i shenjtë Llazar. Besimtarët dhe jobesimtarët e pranishëm, të habitur dhe të frikësuar, konfirmuan se një dritë nga qielli mbuloi vendin e martirizimit për tre ditë rresht. Më pas disa të krishterë besëmirë morën lipsanet e Shenjtit, të cilat shëronin të gjithë ata që i lutnin me besim.