Gjetja I dhe II e Kokës e Shën Joan Pagëzorit : 24 Shkurt
February 24, 2022 at 9:24 am,
No comments

Të nderuar miq edhe të dashur vëllezër edhe motra në Krishtin në 24 shkurt Kisha Orthodhokse kremton të kremten: Gjetja e parë dhe të dytë e kokës së Joan Pagëzorit.
Tradita na thotë se në banketi i ditëlindjes së Herodit u vadit me gjakun e profetit më të madh e Pararendësit të Krishtit dhe, pas kësaj ngjarjeje, nxënësit e Joanit shkuan për të varrosur trupin e tij (Matth. 14:11).
Kurse Herodiada, që kishte marrë kokën e përgjakur të Joanit në një tabaka, dha urdhër ta varrosnin atë thellë në një vend të padenjë, afër pallatit të Herodit në Makerontë.
Shumë kohë më pas, dy murgj që vinin nga Lindja mbërritën në Palestinë për të nderuar Vendet e Shenjta. Pararendësi i shenjtë iu shfaq natën, secilit në mënyrë të veçantë, dhe u tha: “Shkoni në pallatin e Herodit dhe do të gjeni atje kokën time të futur në dhé”. Të udhëhequr nga hiri hyjnor, ata nuk u munduan shumë për të gjetur vendin ku ishte hedhur koka e shenjtë dhe, duke falënderuar Perëndinë, e futën në një thes dhe morën rrugën e kthimit.
Në rrugë takuan një poçar shumë të varfër, me origjinë nga Emesa, që kishte braktisur vendin e tij për një fat më të mirë. Pas një shfaqjeje të Pararendësit, ai e mori lipsanin e shenjtë dhe u kthye në Emesë, ku pati një bekim dhe bollëk të madh.
Në çastet e fundit të ndarjes nga kjo jetë, e vuri kokën e nderuar në një kuti të bërë enkas dhe ia dorëzoi së motrës, duke i dhënë urdhër të mos e hapte pa marrë urdhër nga vetë ai që ndodhej atje brenda dhe t’ia jepte në çastin e duhur një njeriu të devotshëm dhe miku të Perëndisë. Koka e Pararendësit kaloi kështu nga njëra dorë në tjetrën dhe arriti më në fund te një njeri i devotshëm, te hieromonaku me emrin Efstath, që ushtrohej në një shpellë pranë qytetit të Emesës, por që në fshehtësi besonte në herezinë e Ariosit. I pushtuar nga krenaria, ai ia atribuonte vetes mrekullitë e bëra me shumicë nga lipsani i shenjtë dhe nxirrte një përfitim të turpshëm nga hiri hyjnor. Herezia dhe ligësitë e tij u zbuluan dhe dolën në dritë, kështu që u dëbua prej orthodhoksëve dhe koka e nderuar e Pararendësit qëndroi e fshehur në shpellë deri në kohën kur Markeli i devotshëm, një njeri që donte Perëndinë dhe virtytin, u caktua jerond i manastirit që ishte themeluar pranë shpellës, në kohën e mbretërimit të Markianit (450-457), kur episkop i Emesës ishte Urani i famshëm.
Pararendësi i shenjtë iu shfaq në shumë raste Markelit dhe i dëshmoi dashamirësinë e tij, duke e përqafuar me dashuri dhe duke i dhënë një vazo plot me mjaltë. Duke iu bindur Pararendësit dhe i udhëhequr nga një yll, Markeli shkoi për të gjetur kokën dhe e nisi kërkimin nga një kamare në murin e shpellës. Ai ndezi temjan dhe nisi të gërmonte. Zbuloi nën një pllakë mermeri lipsanin e shenjtë të fshehur në një amforë dhe e nderoi me lot gëzimi. Ky lipsan fort i nderuar u vendos nga episkopi në kishën qendrore të Emesës dhe u bë për qytetin një burim bekimesh dhe bamirësish të të gjitha llojeve, deri në kohën e transferimit të tij në Konstandinopojë, në shekullin e 9-të, nën mbretërimin e Mihailit III (842-867) dhe të patriarkut, shën Ignati. Nga ky transferim është caktuar edhe e kremtja e sotme.
Eshtë edhe një traditë tjetër se në shekullin e IV , që na thotë se varri i Shën Joan Pagëzorit nderohej në Samari bashkë me atë të profetëve Elia dhe Abdia.Varri u dhunua nga Julian Apostati (361) dhe ju shpërndan eshtrat, por disa besimtarë të krishterë arritën të shpëtonin disa pjesë dhe i çuan në Jeruzalem, tek igumeni Filip, i cili i dërgoi tek Shën Athanasi i Aleksandrisë.
Pavarësisht se lipsanet u morën përsëri nderimi në varrin e shenjtorit në Sebaste vazhdoi prej shekujsh derisa vendi u pushtua nga arabët mysliman të cilët e kthyen në xhami Kishën .Edhe myslimanët e nderojnë varrin e Shën Joan Pagëzorit.
Menologët sllavë na sjellin një traditë tjetër nga Sinaksarët Bizantin, sipas tyre Joana e gruaja e Kuzës që shoqëronte Heroditën edhe më vonë u bashkua me gratë e shejnta që shkonin pas Jisuit dhe nderohet me gratë miraprurëse, nuk mundi ta duronte vendin e pisët ku ishte varosur koka e nderuar e Shën Joan Pagëzorit dhe porositi që të zhvarosej dhe e solli fshetas në Jeruzalem , në malin e Ullijnve , ku u gjet më vonë nga një fisnik që u bë murg.
Sipas Shën Simeon Metafrazit koka e Pagëzorit humbi dhe u gjet përsëri nga dy murgj që e transferuan prej tyre në Kiliki.Kur e mësoi këtë faktë perandori Valenc (364 -375) urdhëroi prefektin e pallatit , Mardonin , që ta sillte në Kostandinopojë.Gjatë rrugës karoca që po trasportonte mbeti e palëvizur në mënyrë të mrekullushme në Pantikion(Bitini.)
U desh ta çonin në një pronë të Mardonit, në vendin e quajtur Kasilios, në rojen e një murgeshe Matrona e herezisë Maqedonit, e cila ishte edhe kryetare e një grupi murgeshash.Pas vdekjes së saj , prifi Vicens u kthye në Orthodhoksi dhe mori përsipër përkujdesjen e lipsanit të shenjtë, derri kur perandori Theodhosi i Madh erdhi për ta marrë dhe e çoi me nderim të madh, duke e mbajtur me një cep të mantelit perandorak në 17 shkurt (369) dhe e vendosi në një kishë madhështore në lagjen Hebdomon, që e kishte ndërtuar enkas për ta pritur lipsanit e kryes së shejntë të Shën Joan Pararendës dhe Pagëzor.
Në ikonë Shën Joani Pagëzori mban në një dorë kokën e prerë dhe në tjetrën një letër ku shkruhet ajo që u thoshte turmave; ‘’Pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afër”.(Mateu 3:2)
Të njëjtën mesazh Shën Joani na i thotë edhe neve sot : “që të pendohemi se po vjen Zoti për të bërë gjygjin e Tij të drejtë", ashtu siç thotë edhe apostull Petro në letrën e tij:‘’Sepse erdhi koha të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë dhe nëse fillon më përpara nga ne cili do të jetë fundi i atyre që nuk u binden Ungjillit? Dhe nese ‘’i drejti mezi shpëton ku do të duket i pabesi dhe mëkatari?(Petro 1:4 17-18)
Lipsani i kokës së Shën Joan Pagëzorit sot gjëndet në Amejnc në Francën veriore dhe një pjesë e vogël gjendet në Malin Athos në Greqi.
Përlëshorja e të kremtes.
"Si një thesar mistik ,që ishe fshehur në dhe ,ta gjeti Zoti Jisu ,kokën e shenjtë pa çmim ,profet pagëzor Joan; mblidhuni pra të gjithë ,ta kremtojmë me besë ,eni ta lavdërojmë ,Zotin le ta hymnojmë ,i cili na shpëton prej prishjes me ndërmjetimin tend".Amin.