Shën Kirana, Martire e Re : 28 Shkurt
Neomartirja e shenjtë Kirana lindi në fshatin Avisoka,
në Osën e sotme të Selanikut, prej prindërve besëmirë dhe Perëndidashës. Në
biografinë e saj tregohet se ishte shumë e bukur. Kjo bukuri e jashtme e
Kiranës, që nuk ishte gjë tjetër veçse reflektim i bukurisë së saj të brendëshme,
përbën edhe shkakun që e drejtoi shenjtoren në martirizim, pasi një jeniçer,
taksambledhës në fshatin e Kiranës, i cili u dashurua me të, u përpoq në mënyrë
të përsëritur, me joshje dhe dhurata që ta bindte të ndryshonte besim dhe më
pas të martoheshin. Por pasi Kirana nuk i pranonte joshjet, e aq më tepër
dhuratat e turkut, ai duke menduar se do ta përkulte duke e frikësuar, do të
fillonte ta kërcënonte se do ta torturonte rëndë dhe më në fund do ta vriste,
nëse ajo nuk dorëzohej dhe mohonte besimin e saj. Por as këto mënyra nuk sollën
rezultatin e dëshiruar për jeniçerin. Atëherë ai e solli në mënyrë të dhunshme
para kadiut të Selanikut dhe shpifi kundër saj, sikur ajo i kishte shprehur se
do të ndryshonte besimin që të martohej me jeniçerin, por përfundimisht nuk e
mbajti premtimin e saj. Shën Kirana me një burrëri shpirtërore pohoi besimin e
saj për Krishtin. Kështu turqit e futën në burg.
Jeniçeri, që e solli tek kadiu, kërkoi dhe mori lejen e Ali Efendiut, beut të kalasë së Selanikut që të vizitonte shenjtoren në burg, ku me joshje, por edhe me tortura u përpoq që ta bënte për vete. Por, kur u largua ai, torturat i vijoi gardiani i burgut.
Njëherë jeniçeri e vizitoi përsëri shenjtoren në burg dhe e torturoi deri në vdekje. Një roje burgu i Krishter e qortoi ashpër rojen tjetër të burgut, duke e kërcënuar se do ta akuzonte tek pashai, pasi ai lejonte që në burg të hynin njerëz të ndryshëm pa të drejtë për të torturuar të burgosurit. Kështu, kur pas pak jeniçeri erdhi përsëri në burg, roja i frikësuar nuk e lejoi që të hynte brenda. Atëherë jeniçeri e paditi tek Ali Efendiu, i cili e thirri dhe qortoi sepse ai nuk iu bind urdhrave të tij. Pas kësaj ngjarjeje roja u rikthye në burg i zemëruar dhe të gjithë zemërimin e tij e zbrazi tek Kirana, të cilën e lidhi dhe filloi që ta godiste papushim. Para kësaj pamjeje të gjithë të burgosurit, madje edhe myslymanët, filluan që të protestonin kundër këtij gardiani, i cili e la shenjtoren të lidhur dhe u largua. Ishte 28 shkurt 1751.
Gjatë orëve të para të mëngjesit një dritë hyjnore mbuloi papritur trupin e Shën Kiranës, e cila dha frymën e saj të fundit, dhe më pas kjo dritë u përhap në të gjithë burgun. Para kësaj mrekullie të Krishterët falenderuan Zotin, ndërsa myslymanët menduan se ishte zjarr dhe u frikësuan.
Gardiani i krishter, i cili shkoi që të zgjidhte Shenjtoren e lidhur, e gjeti atë të vdekur. Ndërkohë drita ishte larguar, por një aromë e pashprehur mbeti në të gjithë vendin. Atëherë gardiani, u kujdes për lipsanin e shenjtë të Martires, të cilin ditën tjetër e morën të krishterët dhe e varrosën jashtë Selanikut. Në Sinaksarin e Neomartires tregohet se lipsani i Shenjtores u varros “jashtë qytetit, aty ku varrosen lipsanet e të Krishterëve”, dmth., në Varrezën e Shën Parashqevisë.
Shërbesën asmatike ( frymore) të Shenjtores e shkroi Kristofor Prodhromiti.
Si ditë kujtimi për Neomartiren, në Kodikun Lavreotik tregohet data 1 janar. Por në Osa, Shën Kirana kremtohet më 8 janar. Kisha e kremton Shën Kiranën më 28 shkurt, por ndoshta sepse kjo datë shpesh bie në periudhën e Kreshmës së Madhe, e kremtja është zhvendosur edhe në datën 8 janar. Kujtimi i Shenjtores nderohet në mënyrë panigjirike prej banorëve të Osës në Selanik dhe në kishën Arhieropiitu gjatë të dielës pas 8 janarit.
Në fshatin Osa, gjendet Kisha e Shenjtë e Martires së Madhe Shën Kiranës, e cila është edhe mbrojtëse e komunitetit. Kisha u ndërtua në vitin 1840 ose në vitin 1868. Në këtë kishë ruhet edhe ikona mrekullibërëse e Shën Kiranës, e bërë rreth vitit 1870, prej Kristodhul Joan Zografit nga Siatista.