Shën Makario, Oshënarmartir i Ri : 14 shtator
Nuk është i njohur vendi i origjinës prej të cilit ishin prindërit e Shën Makarios. Ai ishte nxënës i Shën Nifonit (11 gusht) Patriarkut të Kostandinopojës, jetën e të cilit e imitoi. “Duke arritur në ekstrem dhe në përsosmëri të dashurisë hyjnore, zemra e tij dëshironte që të denjësohej për të përfunduar jetën e tij me një vdekje martirike”. Dëshirën e tij ja tregoi mësuesit të tij, që atëherë gjendej në Manastirin e Hirshëm të Vatopedhit, dhe pasi Jerondi njohu se dëshira e tij vinte me të vërtetë nga vullneti hyjnor, e këshilloi në mënyrën e duhur, e bekoi dhe e la që të shkonte drejt rrugës së martirizimit dhe i tha: “Shko, o bir, në rrugën e martirizimit, sepse sipas dëshirës sate, dëshiron që denjësisht të marrësh kurorën e së vërtetës dhe të ngazëllohesh përjetësisht bashkë me martirët dhe oshënarët”.
Makario bashkë me kushëririn e tij Joasafin (26 tetor) kishin shoqëruar Jerondin e tyre Shën Nifonin në udhëtimet hierapostolike të gjata dhe frytdhënëse në Maqedoni dhe Ungarovllahi. Në vitin 1505 shkuan dhe u vendosën në Manastirin e Vatopedhit, ku qëndruan për rreth dy vite.
Sipas një profecie të Shën Nifonit, Makario i lumur shkoi me gëzim në Selanik për të predikuar me guxim Krishtin tek myslimanët. Arrestohet dhe torturohet papushim prej turqve. E goditën me thika dhe drunj dhe të përgjakur e mbyllën në burg, ku përfundimisht i prenë kokën. Kur me ndriçimin dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë Shën Nifoni u njoftua për këtë ngjarje, i gjendur në Manastirin e Vatopedhit, në të njëjtin moment me martirizimin e Makarios i thotë nxënësit tjetër të tij Joasafit, kushëririt të Makarios: “Të dish biri im, se kushëriri yt Makario mbaroi sot me martirizim, dhe gëzohet në Qiell, me rreshtat e Oshënarëve dhe të Martirëve”.
Kujtimi i Oshënarmartirit Makario, që konsiderohet edhe Neomartiri i parë Agjiorit, nderohet më 14 Shtator. Martirizimi i tij u bë në vitin 1507 dhe jo në vitin 1527, siç tregohet gabimisht, pasi Jerondi i tij Shën Nifoni fjeti në vitin 1508.